Bardhi akuzon qeverinë: Vjedhin ligjet e opozitës, pa etikë

Bardhi i drejtohet Peleshit: Ligjet e PD-së i rrëzoni e më pas i miratoni si tuajat

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka deklaruar se mazhoranca socialiste po e përdor institucionin më të lartë ligjvënës për të bllokuar çdo iniciativë të opozitës dhe për të miratuar me “vjedhje” propozimet e saj.

Gjatë një seance plenare në Kuvend, Bardhi akuzoi mazhorancën se i rrëzon ligjet e opozitës, ndërkohë që i njëjti tekst, pasi hidhet poshtë, u jepet deputetëve të shumicës për t’u miratuar më pas. Sipas tij, kjo tregon mungesë totale etike dhe një standard të dyfishtë.

Deputeti i opozitës kritikoi gjithashtu mënyrën e shqyrtimit të projektligjeve. Ai kërkoi që çështjet logjike të opozitës të diskutohen në të njëjtën seancë dhe i bëri thirrje kryetarit të seancës të veprojë si moderator i paanshëm, jo si pjesë e politikave të mazhorancës.

“Së pari, është e vërtetë që nuk e kemi ngritur në Konferencën e Kryetarëve, sepse nuk mund ta ngresh aty kur ke depozituar një kërkesë për procedurë të përshpejtuar. Nuk ka asnjë sens votimi që ju sapo bëtë, sepse kjo është një paketë ligjore që përbëhet nga dy projektligje. Njëri nga këta projektligje është caktuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për t’u shqyrtuar më datë 16 prill, dhe është tërësisht logjike që edhe ligji tjetër që bën pjesë në këtë paketë të shqyrtohet atë ditë. Pse nuk duhet t’i jepni dakordësi për këtë? Pra, për çdo gjë kërkoni që opozita t’ia japë dakordësinë. Një datë dhe një çështje, kur kërkon opozita të futet në axhendën e Kuvendit, as kryetari i Kuvendit, as grupi parlamentar i shumicës, nuk pranojnë ta marrin parasysh. Çfarë shqetësimi ju sjell që të dyja ligjet, të cilat janë pjesë e një pakete, të shqyrtohen në të njëjtën seancë, më 16 prill?” tha Bardhi.

Ai shtoi: “Si është e mundur që për çdo gjë që propozon opozita, ju keni vetëm kartonin e kuq? Jemi gati të themi: kaloni nga fjalët te veprat. Ju jo vetëm i rrëzoni ligjet e opozitës thjesht sepse janë propozuar nga deputetët e opozitës, por keni edhe mungesën normale të etikës: një javë pasi e keni rrëzuar një propozim të opozitës, ia jepni një deputeti të mazhorancës, ai e firmos, e propozon dhe pas dy javësh e kaloni dhe e miratoni të njëjtin propozim. Këto jeni ju. Dhe pastaj thoni që jeni të interesuar për dialog, dhe se Kuvendi duhet të funksionojë normalisht. Ju opozitën e trajtoni me urrejtje, jo si kundërshtarë politikë. Sigurisht që jemi kundërshtarë politikë. Por një datë kërkojmë ne, dy projektligje të shqyrtohen bashkë, dhe ju votoni kundër.”

Bardhi i bëri thirrje zotit Peleshi të luajë rolin e tij si moderator i debatit, duke theksuar se kjo do të ishte në dobi edhe të qytetarëve, të cilët do të shikonin që kërkesat logjike të opozitës mbështeten.

“Zoti Peleshi, edhe një herë e kam me ju: luani rolin tuaj mbi palët, si moderator i debatit, dhe nuk bëni gabim; përkundrazi, jepni shumë pikë edhe për qytetarët që një herë në gjashtë muaj, kur ka një kërkesë logjike të opozitës, t’i kërkoni kolegëve tuaj ta mbështesin. Ose të paktën ndiqni modelin e Lindita Nikollës dhe Elisa Spiropalit, që një herë në tre muaj dilnin jashtë vendimit të grupit kur kishte një kërkesë të drejtë të opozitës dhe thoshin: ‘Unë ju mbështes, po s’kam ç’i bëj vendimmarrjes politike të grupit.’ Dilni një herë nga rrjeshti, zoti kryetar! Një datë po kërkojmë të shqyrtojmë ligjet më 16 prill. Ku është e keqja këtu? Ju ngrini 80 veta kartonin kundër, dhe as nuk dini çfarë po votoni. Po rrëzoni armikun e popullit me karton të kuq,” përfundoi Bardhi.

Scroll to Top