E moshuar shpëton në Korçë falë fqinjëve dhe policisë

Një e moshuar shpëton mrekullisht në Korçë pasi u gjet e rrëzuar në banjë pas ankesës së komshiut për rrjedhje uji.

Një rast për t’u shënuar ka ndodhur në Korçë, ku një e moshuar ka shpëtuar falë kujdesit të fqinjëve dhe ndërhyrjes së policisë. Ngjarja nisi pasi një komshi raportoi se po i pikonte tavani, gjë që ngriti dyshime se mund të kishte ndodhur diçka me banuesen e moshuar që jetonte e vetme në banesë.

Kur fqinjët tentuan të kontaktonin me të moshuarën, ata kuptuan se diçka nuk ishte në rregull dhe menjëherë lajmëruan policinë. Forcat zjarrfikëse, të cilat mbërritën në vendngjarje, bënë të mundur hapjen e derës së apartamentit. Brenda, ata gjetën të moshuarën të shtrirë në dush. Gruaja, e cila vuan nga probleme me kockat dhe skleroza, nuk ishte në gjendje të lëvizte.

Fqinjët thanë se gruaja nuk kishte qenë në kontakt me ta prej dy ditësh, dhe uji që pikon nga tavani rezultoi të ishte shenja paralajmëruese për vështirësinë në të cilën ndodhej.

E moshuara është dërguar në spitalin rajonal të Korçës për t’u marrë në trajtim mjekësor. Pavarësisht dëmtimeve, burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Scroll to Top