Ibrahimaj: Bizneset vonohen në përdorimin e Inteligjencës Artificiale, produktiviteti i vendit është 1/3 e mesatares së BE
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë punimeve të Forumit të Inovacionit, u fokusua te masat për rritjen e përdorimit të Inteligjencës Artificiale (IA). Ajo theksoi se bizneset mbeten në nivele të ulëta sa i përket përdorimit dhe adoptimit të teknologjisë së informacionit në përgjithësi.
“Sot, një vit më vonë, jemi në një tjetër moment. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që inteligjenca artificiale ka prekur çdo komponent të jetës. Ajo po ndryshon mënyrën se si prodhohet, po ndryshon mënyrën se si ofrohen shërbimet, po ndryshon, pa diskutim, aftësitë e kërkuara për t’iu përgjigjur kësaj sfide dhe, gjithashtu, duhet të ndryshojë dhe e gjithë ekonomia shqiptare. Ne, të paktën, kështu e shohim dhe duam që diskutimi sot të përqendrohet pikërisht tek kjo: se si mund të përdoret më mirë inteligjenca artificiale në sektorin privat për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pa dyshim që të gjithë jemi në dijeni të nivelit të produktivitetit të ekonomisë shqiptare. Ne sot kemi rreth 99.8% të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë rreth 80% të punësimit dhe rreth 78% të vlerës së shtuar në ekonomi. E megjithatë, niveli i adoptimit të teknologjisë së informacionit, por edhe sidomos i inteligjencës artificiale nga bizneset e vogla dhe të mesme, është shumë i ulët. Kemi një paradoks të madh, në fakt, sepse kemi një popullatë që ka akses në shërbimet dixhitale dhe, edhe pse mund të mos ketë një nivel të lartë të njohurive dixhitale, e nxitur edhe nga politikat shtetërore për dixhitalizimin e të gjitha shërbimeve publike, praktikisht e gjithë popullata di të përdorë shërbimet elektronike. Ndërkohë që biznesi mbetet me nivele shumë të ulëta adoptimi.
Vetëm një në katër biznese ka mundësi të ketë akses në teknologji. 40% e bizneseve që kanë një faqe interneti e përdorin atë për shitje, ndërkohë që potenciali është shumë më i lartë. Kur flas për tregtinë elektronike, pastaj, të gjithë sektorët e tjerë kanë nivele adoptimi më të ulëta. Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare mund të përdorin ose janë duke e përdorur inteligjencën artificiale, ndërkohë që ne vijojmë të jemi një vend me nivel të ulët produktiviteti, gati 1/3 e mesatares së Bashkimit Evropian.”
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se vendi ofron potencial për zhvillimin e teknologjisë dhe kërkoi bashkëpunim me bizneset për të zhvilluar mundësi të reja.
“Duke parë rritjen e sektorit të teknologjisë së informacionit në vitet e fundit, unë jam shumë optimiste që ne, duke u ulur bashkë, duke biseduar bashkë dhe duke ndërtuar ekosistemin e nevojshëm, qoftë në drejtim të infrastrukturave që duhen për t’u zhvilluar, qoftë në drejtim të financimeve që shërbejnë për t’u zhvilluar, por edhe në drejtim të aftësive që do të duhet të kemi dhe të ndërtojmë, ne besoj që do të arrijmë në një konkluzion. Sot dita është e dedikuar kësaj bisede, pra inteligjencës artificiale në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, dhe unë do të doja shumë që në vijim të ditës, e cila është organizuar, siç keni parë në axhendë, në tre pjesë të ndryshme.
- Është seksioni i parë, që është seksioni ku ndodhemi tani.
- Është seksioni i dytë, në të cilin ne do të ndahemi në disa tryeza, ku do të diskutohet në mënyrë të veçantë për infrastrukturën e nevojshme për transformimin digjital përmes inteligjencës artificiale, për arsimin, talentin dhe kërkimin, për IA në mbrojtje dhe në siguri dhe IA në sektorin publik.
Në fund të ditës, unë do të doja të dilnim me një plan të përbashkët për të ndërtuar një dokument strategjik, ku secili prej nesh do të angazhohet në pjesën e vet, në mënyrë që ne intensivisht të punojmë gjatë vitit të ardhshëm për të kapur momentin”, pohoi ajo.
