Kryeministri Rama: Po hartojmë program kombëtar për IA, vetëm 9% e bizneseve e përdorin
Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në punimet e Forumit të Inovacionit, deklaroi se qeveria është duke hartuar një program për Inteligjencën Artificiale (IA). “Këtu kemi në qendër të bisedave të ditës së sotme Inteligjencën Artificiale, për të cilën ne po përgatitemi për një program kombëtar, ku të gjithë do të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe të gjejnë vendin e tyre,” theksoi Rama.
Ai shtoi se qeveria është e vetëdijshme për dinamikën e jashtëzakonshme të temave të diskutimit. “Kjo, nga njëra anë, është një bekim i madh për vende si i yni, sepse mund të bëjmë kapërcime të mëdha falë teknologjisë. Nga ana tjetër, është një sinjal i vazhdueshëm alarmi, sepse po ashtu mund të mbetemi shumë mbrapa nëse nuk ecim me ritmin e kësaj kohe të re,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Rama përmendi tre elementë kyç për ndërveprimin mes palëve:
- Problemet reale.
- Propozime konkrete.
- Gatishmëri për t’u angazhuar të gjithë së bashku, pasi programi do të ndiqet bashkarisht.
Rama u ndal gjithashtu te ecuria e sektorit të teknologjisë, zhvillimet dhe rritja e të punësuarve:
- Eksporti i teknologjisë arrin në 222 milionë euro produkte inovative, tre herë më shumë se pak vite më parë.
- Janë aktivë gati 28,500 profesionistë, nga të cilët 7 në 10 janë nën moshën 35 vjeç.
- Ka një rritje pagash shumë domethënëse në këtë sektor.
- Sektori ka një peshë të lexueshme prej 2.2% në PBB, një shifër kuptimplotë për potencialin e vet.
Ai theksoi fatin e platformës e-Albania, me 3.4 milionë subjekte dhe qytetarë të regjistruar. “Është domosdoshmëri që të ngremë një strukturë publike të cloud-it, që të bëjë të mundur që të dhënat shtetërore të jenë të aksesueshme dhe të sigurta. Ndërkohë, kemi filluar të eksplorojmë mundësinë e ngritjes së data center-ave,” shtoi ai.
Kryeministri Rama nxori në pah dallimin mes sektorit publik dhe atij privat: “Nëse sektori publik ka një avantazh të madh, për shkak të progresit, në sektorin privat janë shumë prapa. Vetëm 24% e bizneseve tregtojnë online. 9% e sipërmarrjeve përdorin Inteligjencën Artificiale, kundrejt 90% të qytetarëve që kanë akses online. Këto të dhëna janë shqetësuese.”
Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme për startup-et, duke përmendur dyfishimin e fondit dhe synimin për të bërë të njëjtën gjë vitin e ardhshëm nëse trendi vijon. Gjithashtu, janë planifikuar disa pilotë në sektorë si bujqësia, turizmi, shëndetësia dhe financat, për të rritur përdorimin e teknologjisë.
“Janë 9 mijë studentë që merren me teknologji. Numri i vajzave është ndër më të lartët në Europë,” përfundoi Rama.
