Bllokim kamionësh drejt Malit të Zi: Hyri në fuqi masa në doganën e Hanit të Hotit
Mëngjesin e së martës, asnjë kamion nuk do të kalojë drejt Malit të Zi, pasi shoqata e transportuesve atje ka hyrë në grevë 72-orëshe.
Nga ora 9:30 e kësaj të marte, ka hyrë në fuqi masa kufizuese e vendosur nga autoritetet malazeze për transportin e tonazhit të lartë, pra kamionët, për të hyrë në drejtim të Malit të Zi. Kjo masë vjen si pasojë e grevës së përgjithshme të shoqatës së kamionistëve, të cilët kanë paralajmëruar protestë për 3 ditët e ardhshme.
Sipas udhëzimit të fundit, në akset që të çojnë drejt pikave kufitare me Malin e Zi, do të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare u ka bërë thirrje drejtuesve të kamionëve të respektojnë masën e përkohshme, për të shmangur bllokimet dhe incidentet e mundshme në rrugë.
Nga vëzhgimet në terren rezulton se masa është zbatuar pa probleme në ditën e parë, pasi drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë janë informuar dhe kanë kaluar përpara hyrjes në fuqi të kufizimit.
Autoritetet theksojnë se situata po monitorohet për të shmangur çdo bllokim të mundshëm.
Arsyeja e protestës së kamionistëve mbetet ende e paqartë. Megjithatë, në muajin shkurt, shoqatat e transportit ndërkufitar në rajon protestuan për rregulla të reja të hyrje-daljes në zonën Shengen.
Situata pritet të ndiqet në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve të grevës.
