VIDEO/ Taktika e zakonshme në Ligën e Kampioneve, as gjermanët nuk e falin Realin para duelit në Mynih. Nis kërkimi për fajtorët
Real Madrid nuk ka kaluar një natë të qetë në Mynih, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Bajernit vendas. Siç është bërë thuajse zakon, para sfidave të këtij niveli, tifozët vendas janë munduar të pengojnë gjumin e madrilenëve.
Ultrasit e Bajernit kanë përdorur një taktikë të zakonshme, duke ndezur fishekzjarrë pranë hotelit ku po qëndronte skuadra e Realit në orët e vona të natës, në përpjekje për të zgjuar lojtarët, përfshirë edhe Kylian Mbappé.
Pamjet e kësaj ngjarjeje janë regjistruar nga “Chiringuito TV” dhe janë publikuar duke treguar se fishekzjarrët kanë pasur efekt, pasi kanë zgjuar disa prej futbollistëve. Më tej, gazetarët e njohur spanjollë raportojnë se përgjegjësit e sigurisë së Real Madrid, si dhe forcat e rendit gjermane, kanë nisur menjëherë kërkimin për personat përgjegjës, të cilët mund të përballen me akuza për prishje të qetësisë publike.
Megjithatë, situata të tilla rrallëherë rezultojnë me pasoja, duke e kthyer ndezjen e fishekzjarrëve në orët e vona për të prishur gjumin e kundërshtarëve, në një taktikë që përsëritet me rregullsi në çdo edicion, në vende të ndryshme.
