Ilir Meta ankohet te Komiteti i Helsinkit: Po persekutohem!
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar me një letër publike Komitetit Shqiptar të Helsinkit, duke ngritur akuza për shkelje të të drejtave të tij gjatë qëndrimit në paraburgim në IEVP “Jordan Misja”. Meta raporton për pengesa në komunikimin e tij, kufizime në ajrosje, mungesë transparence rreth vendimeve disiplinore dhe refuzimin e komunikimit me familjarët dhe përfaqësuesit e partisë.
Ai pretendon se po i mohohen të drejta themelore, duke përfshirë njohjen zyrtare të vendimeve që e prekin dhe të drejtën për ankim. Meta akuzon për keqinformim të institucioneve monitoruese lidhur me kushtet e tij të paraburgimit, duke e cilësuar situatën si “persekutim politik”. Kërkon trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë dhe respektim të plotë të të drejtave të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Meta i kërkon Komitetit Shqiptar të Helsinkit verifikimin e pretendimeve të tij dhe thekson se është i hapur për çdo ballafaqim institucional.
Letër publike e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta drejtuar Kryetares së Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Znj. Erida Skëndaj:
E nderuar Znj. Erida Skëndaj, Kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit!
Të nderuar anëtarë të Komitetit të Helsinkit!
Jam i detyruar të bëj publike këtë letër, pasi më është penguar ta dërgoja përmes shërbimeve të IEVP-së “Jordan Misja” drejtuesve të Partisë së Lirisë, të cilët prisnin jashtë për ta marrë.
E nderuar Znj. Erida Skëndaj!
Ju falënderoj për dërgimin e përfaqësuesit tuaj, Z. Zylyftar Bregu, i cili më vizitoi pas 18 muajsh. Gjithashtu, ju falënderoj për ndërhyrjen tuaj për riparimin e dritës në tualetin e qelisë time, e cila nuk funksiononte që nga tetori 2024.
Këto janë neglizhenca të vogla, por ka edhe të tjera, si për shembull shpimi i bidonëve plastikë për të cënuar ushtrimet e mia fizike, pasi nuk ka palestër.
Më shqetësoi fakti që përgjegjësi i Policisë më tha përfaqësuesit tuaj se bëj ajrosje dy herë në ditë, sikurse të gjithë të tjerët. Unë i kërkoj ballafaqim me këtë përgjegjës policie, i cili mashtron Komitetin e Helsinkit. Që nga korriku 2025, pas një komunikimi telefonik, bëj vetëm një herë në ditë ajrosje, ndryshe nga 500 banorët e tjerë të IEVP-së.
Deri më sot, edhe pse e kam kërkuar zyrtarisht, nuk më është dhënë vendimi zyrtar për dënimin tim nga Komisioni Disiplinor, duke më mohuar të drejtën për t’u njohur me bazën ligjore dhe arsyet e tij, si dhe të drejtën për t’u ankuar.
Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve vlerëson çfarë duhet të them unë në media, duke më mohuar të drejtën për t’u mbrojtur publikisht nga gënjeshtrat që qarkullojnë.
Nuk është cënim i hetimit kërkesa për të pyetur personin konkret shqiptaro-amerikan, që prokurorët nuk kanë dashur ta bëjnë për katër vite me radhë. Po ashtu, nuk është cënim kërkesa që të bëhen transparente lobimet, bazuar mbi kontratën e ligjshme të LSI-së me GSIS-në.
Keqpërdorimi i paraburgimit tim si mjet persekutimi politik nuk ka ngjashmëri as me Rusinë e Putinit.
Është mashtrim edhe fakti që jam lejuar të takohem me Z. Tedi Blushi. Që nga qershori 2025, asnjë takim shtesë nuk më është lejuar me Z. Tedi Blushi, dhe numri i tij i telefonit vazhdon të jetë i bllokuar, pavarësisht rekomandimit të Avokatit të Popullit.
Z. Blushi, apo edhe Z. Petrit Vasili apo Z. Edmond Panariti, kanë ardhur në vend të familjarëve të mi, me kërkesën time, duke sakrifikuar takimet me familjarët.
Unë nuk kërkoj të bëj mbledhje partie këtu, por të kem mundësinë, përveç katër takimeve familjare, të kem takime shtesë me deputetët apo drejtues të caktuar të Partisë së Lirisë.
Keqinformoheni kur ju thuhet se nuk ka pasur kërkesa nga ne për intervista në media. Ka dhjetëra kërkesa nga gazetarë të njohur, të cilat janë bllokuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Unë nuk kërkoj trajtim të privilegjuar, por të drejta të barabarta si gjithë të paraburgosurit e tjerë, dhe garantimin e të drejtave të mia politike, ku kryesorja është heqja e pengesave të paligjshme të komunikimit telefonik me Z. Tedi Blushi dhe drejtues të tjerë të Partisë së Lirisë.
Lejimi i takimeve me deputetët, pasi siç keni konstatuar, ndalimi i këtyre takimeve ka qenë i paligjshëm.
Ju mirëpres në zyrën tuaj, nëse e gjeni të arsyeshme, për të biseduar edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me standardet e paraburgimit, si dhe për gjendjen e gardianëve dhe punonjësve të burgjeve.
Nuk ka vetëm të paraburgosur që kanë humbur jetën për arsye shëndetësore apo janë vetëvrarë, por kemi patur edhe raste gardianësh që kanë bërë vetëvrasje.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për dërgimin e përfaqësuesit tuaj dhe duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj për bërjen publike të kësaj letre, me qëllimin e vetëm të përgënjeshtrimit të të pavërtetave, ju shpreh konsideratën më të lartë.
