Kontrolle në Zubin Potok, zbulohen armatime të shumta në banesa dhe vende të fshehta
Në gjashtë raste të ndara, Policia e Kosovës më 16 prill ka kryer bastisje në veriun e Kosovës, një zonë e banuar me shumicë serbe. Gjatë këtyre operacioneve, janë sekuestruar armatime të llojeve të ndryshme dhe municione.
Policia njoftoi se bastisjet u kryen pas informacioneve të marra nga qytetarët në fshatin Banovë dhe Prevllak të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit, në rastin e parë, në një shtëpi të pabanuar u gjetën katër pushkë të llojeve të ndryshme, tri radiolidhje, një kamerë, 223 fishekë të ndryshëm, uniforma ushtarake dhe pajisje për pastrimin e armëve.
Në rastin e dytë, gjatë një kontrolli në një shtëpi, autoritetet gjetën një pushkë pa leje dhe 3 fishekë. Në këtë lokacion është hasur personi M. R. (lindur në vitin 1972), i cili është shoqëruar në stacion policor. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është liruar, ndërsa do të hetohet për veprën penale “mbajtje pa leje të armës”.
Bastisja tjetër u krye në një shtëpi tjetër të pabanuar ku u gjetën një armë AK-47, 3 karikatorë, 88 fishekë për armë të gjata dhe një granatë dore e llojit M75, e prodhimit jugosllav. Njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive kanë tërhequr mjetin eksploziv në mënyrë të kontrolluar.
Në një shtëpi tjetër të pabanuar, policët gjetën një armë AK-47 dhe 19 fishekë. Po ashtu, në një rast të ndarë, në një shtëpi të pabanuar u gjet një pushkë e llojit M48, një pushkë gjuetie dhe 33 fishekë.
Ndërkohë, në një hambar, Policia gjeti një mekanizëm të armës së gjatë M-48, një bajonetë dhe uniforma ushtarake.
Për të gjashtë rastet, Prokurori i Shtetit ka udhëzuar inicimin e rasteve për veprën penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se provat e gjetura dëshmojnë përpjekje për të cenuar sigurinë e Kosovës. “Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend,” shkroi Sveçla në Facebook, ku publikoi edhe një video të armatimeve të sekuestruara. Ai shtoi se çdo veprim që rrezikon rendin, ligjin dhe sigurinë do të trajtohet pa asnjë kompromis.
Edhe në të kaluarën, veçmas që nga sulmi i armatosur i shtatorit të vitit 2023 në Zveçan, autoritetet kanë sekuestruar armatim dhe municion në katër komunat në veri të Kosovës. Në nëntor të vitit të kaluar, kur ishin gjetur detonatorë në Leposaviq, Sveçla e kishte akuzuar Serbinë për planifikim të “sulmeve terroriste në Kosovë” përmes “bandave kriminale e terroriste”.
Për sulmin në Banjskë të Zveçanit, ku një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës, Kosova e fajëson Beogradin, por Serbia mohon çdo përfshirje. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ndaj të cilit dhe 44 personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë. Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në këtë rast po i afrohet fundit.
