Transporti publik: Propozim kompensim nafte, por jo mjaftueshëm

Propozohet kompensim prej 50 lekë për litër për naftën e transportit publik

Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të shoqatave të transportit publik, qeveria ka paraqitur një propozim për dhënien e një kompensimi prej 50 lekë për litër për naftën, i cili parashikohet të jetë i vlefshëm për një periudhë tre-mujore. Ky kompensim pritet t’u adresohet të gjithë operatorëve të transportit publik në vend.

Nga ana e tyre, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Urban dhe Ndërqytetas, kanë kërkuar një subvencionim prej 100 lekë për litër, duke i referuar një skeme të ngjashme të zbatuar në vitin 2022.

Kostandin Foni, kryetar i Shoqatës së Transportit Qytetas, duke folur për Monitor, u shpreh se propozimi për kompensimin prej 50 lekë për litër nuk mbulon plotësisht kostot shtesë të shkaktuara nga rritja e çmimit të naftës. Megjithatë, ai e cilësoi këtë propozim si një hap të parë pozitiv nga ana e ministrave, i cili synon ruajtjen e normalitetit të shërbimit.

“Në ditët në vijim, presim të zhvillojmë një takim me ministrat Ibrahimaj dhe Karakaçi për të diskutuar kostot e operimit për kategoritë që udhëtojnë falas, si dhe kërkesat tona për heqjen e akcizës së naftës dhe uljen e TVSH-së. Vetëm miratimi i tyre do të garantonte qëndrueshmërinë e sektorit publik, i cili po përballet me vështirësi që pas pandemisë COVID-19”, tha Foni.

Për shkak të sfidave me kostot, transporti publik në të gjithë vendin u reduktua deri në 60% një ditë më parë. Operatorët e 450 linjave të transportit në vend paralajmëruan masa përshkallëzuese nëse nuk do të kishte një reagim nga institucionet.

Paketa antikrizë për transportin publik i dorëzuar ministrave Ibrahimaj dhe Karakaçi

Duke marrë parasysh rritjen e ndjeshme dhe të vazhdueshme të çmimit të karburantit, e cila ka krijuar një disbalancë të thellë midis kostove reale të operimit dhe të ardhurave të pandryshuara të sektorit, janë paraqitur për diskutim këto kërkesa prioritare:

  • Miratimi i një pakete mbështetëse financiare emergjente: Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme përmes një pakete mbështetëse financiare, duke u bazuar në VKM nr. 225, datë 13.04.2022, e cila përcakton procedurat, dokumentacionin dhe masën e kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit publik, në kuadër të një pakete antikrizë për kompensimin e kostove të karburantit me 100 lekë/litër. Ky precedent tregon se ndërhyrja është e mundur, e justifikuar ligjërisht, përballueshme financiarisht për buxhetin e shtetit dhe mekanizmi i kompensimit është i zbatueshëm dhe i verifikueshëm. Kërkohet riaktivizimi i një skeme të ngjashme, e përshtatur me nivelin aktual të çmimeve dhe kostove reale të sektorit.
  • Rishikimi i menjëhershëm i barrës fiskale, heqja e taksës së qarkullimit: Duke qenë se taksa e qarkullimit përbën një komponent të rëndësishëm në çmimin e karburantit (27 lekë/litër), kërkohet pezullimi ose përjashtimi i saj për operatorët e transportit publik. Kjo masë konsiderohet e justifikuar dhe e mbështetur në parimin e proporcionalitetit fiskal, duke marrë parasysh natyrën e veçantë të transportit publik si shërbim social.
  • Heqja ose pezullimi i akcizës mbi karburantin: Akciza mbi naftën, rreth 39.4 lekë/litër, është një nga komponentët kryesorë të çmimit final. Si taksë indirekte me efekt të drejtpërdrejtë në koston e operimit, ajo rëndon ndjeshëm mbi operatorët, të cilët nuk mund ta transferojnë këtë kosto te konsumatori për shkak të tarifave të rregulluara. Vazhdimi i aplikimit të akcizës në të njëjtin nivel krijon një disproporcion mes barrës fiskale dhe kapacitetit ekonomik të sektorit. Ligji shqiptar parashikon përjashtime për sektorë të caktuar, çka përforcon argumentin për trajtim të diferencuar edhe për transportin publik.
  • Heqja e TVSH-së: TVSH-ja prej 20% rrit drejtpërdrejt çmimin përfundimtar dhe kufizon aksesin në këtë shërbim esencial. Duke marrë parasysh funksionin social dhe ekonomik të transportit publik, si dhe praktikat e vendeve të rajonit ku norma varion nga 0% deri në 5%, kërkohet heqja e plotë ose reduktimi i TVSH-së.

“Në rast se masat e mësipërme fiskale nuk janë të realizueshme në afat të menjëhershëm, kërkohet që të aplikohet një mekanizëm kompensimi financiar i drejtpërdrejtë, i bazuar në faturat reale të furnizimit me karburant, deklarimet tatimore dhe nivelin e konsumit të verifikuar sipas aktivitetit të licencuar.”

Scroll to Top