APP u kujton institucioneve: Operatorët e përjashtuar nuk mund të nënshkruajnë kontrata publike
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka rikujtuar autoriteteve dhe enteve kontraktore nevojën për të zbatuar me përpikëri rregullat lidhur me statusin e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga procedurat e prokurimit publik. Kjo agjenci ka theksuar se këta subjekte nuk kanë të drejtë të nënshkruajnë kontrata apo minikontrata për aq kohë sa vendimi për përjashtimin e tyre është ende në fuqi.
Në një rekomandim zyrtar, bazuar në ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, APP nënvizon se verifikimi i statusit të operatorëve duhet të bëhet patjetër para çdo nënshkrimi kontrate. Ky detyrim përfshin edhe rastet e marrëveshjeve kuadër dhe kontratave që rrjedhin prej tyre.
Sipas APP-së, operatorët ekonomikë, të cilët janë përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike për shkak të keqinformimit ose dorëzimit të dokumenteve me të dhëna të rreme, nuk mund të përfshihen në asnjë procedurë kontraktuese gjatë periudhës së ndalimit. Kjo periudhë mund të zgjasë nga 3 muaj deri në 3 vjet.
Agjencia sqaron se ky kufizim ka një efekt të drejtpërdrejtë në fazën përfundimtare të procesit të prokurimit. Çdo përpjekje për të nënshkruar kontratë me subjekte që ndodhen në listën e të përjashtuarve do të jetë e pavlefshme.
Në dokumentin udhëzues, APP i referohet detyrimit ligjor që autoritetet kontraktore të kontrollojnë në mënyrë të përditësuar listën zyrtare të operatorëve të përjashtuar. Kjo listë publikohet në faqen zyrtare të APP-së dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Gjithashtu, rekomandohet verifikimi i vendimeve të përjashtimit në seksionin e transparencës, ku mund të gjenden të dhëna të përmbledhura mbi vendimmarrjet e APP-së për këtë çështje.
APP paralajmëron se mosrespektimi i këtyre procedurave përbën shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe mund të rezultojë në masa administrative, duke përfshirë gjobat e parashikuara në nenin 132 të ligjit.
Sipas institucionit, periudha nga shpallja e fituesit deri në nënshkrimin e kontratës është një fazë kritike. Gjatë kësaj kohe, kontrollet paraprake duhet të forcohen për të shmangur kontraktimin me operatorë që janë përjashtuar.
Në këtë kontekst, APP thekson se autoritetet kontraktore duhet ta marrin në konsideratë statusin ligjor të operatorit në momentin e saktë të nënshkrimit të aktit kontraktor. Ky është një kusht thelbësor për vlefshmërinë e tij. Nga ana tjetër, operatorët ekonomikë të përjashtuar nuk mund të vazhdojnë procesin e kontraktimit, edhe në rast se janë shpallur fitues më parë, nëse vendimi për përjashtimin e tyre është ende në fuqi.
