Bernardo Silva largohet nga Manchester City, interes nga Juventusi e Milani

Tani është zyrtare: Mançester Siti konfirmon largimin e futbollistit që ka qenë në radarët e Juventusit dhe Milanit.

Mançester Siti ka konfirmuar sot atë që pritej prej kohësh, duke zyrtarizuar largimin e kapitenit Bernardo Silva në fund të sezonit. Zërat për largimin e tij qarkullonin prej javësh dhe më parë bëhej e ditur se klube si Juventusi dhe Milani ishin shprehur interes për të. Megjithatë, zyrtarizimi ka ardhur vetëm sot, me një komunikatë të Sitit që konfirmoi lamtumirën e lojtarit, i cili iu bashkua klubit në vitin 2017 dhe u bë një pjesë shumë e rëndësishme e projektit nën drejtimin e Pep Guardiolës.

Futbollisti 31-vjeçar ka luajtur deri më tani 451 ndeshje dhe ka fituar 19 trofe me Sitit, duke përfshirë 6 tituj kampioni në Premier League, një Ligë Kampionesh dhe një Botëror për Klube. Gjatë kësaj periudhe, ai ka shënuar 76 gola dhe ka dhënë 77 asiste, duke qenë shpesh një nga liderët e ekipit në mesfushë.

“Kur mbërrita 9 vjet më parë, po ndiqja ëndrrën e një djali të vogël, duke dashur të kisha sukses në jetë dhe të arrija gjëra të mëdha. Ky qytet dhe ky klub më dhanë shumë më tepër sesa kaq, shumë më tepër sesa shpresoja ndonjëherë. Ajo që fituam dhe arritëm së bashku është një trashëgimi që do të mbetet përgjithmonë në zemrën time,” shkroi ndër të tjera vetë Bernardo Silva në një mesazh në rrjetet sociale, duke konfirmuar kështu edhe ai largimin e tij nga Mançester Siti.

Scroll to Top