Një ditë pas reduktimit të 40% të numrit të autobusëve, Transporti Urban dhe Ndërqytetas arrin marrëveshje me qeverinë: Nga sot transporti do të vazhdojë me kapacitet të plotë.
Transporti urban dhe ndërqytetas do të rikthehet në normalitet, pas një marrëveshjeje të arritur mes Shoqatës së Transportit dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe pushtetit vendor.
Përfaqësuesit e shoqatës bënë të ditur se pas takimit me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë, është rënë dakord për vijimin normal të shërbimit. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu edhe për një subvencion të mundshëm për litër karburant, vlera e të cilit mbetet ende për t’u përcaktuar.
Shoqata theksoi se nga sot do të vazhdohet me transport me kapacitet të plotë.
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe nënkryetaren e bashkisë. U dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion për litër karburant, por vlera do të jetë në diskutim. Nga sot do të vazhdohet me transport me kapacitet të plotë, pasi edhe operatorët duan ta ofrojnë shërbimin siç duhet, duke marrë parasysh situatën e ditëve të fundit. Do të kemi një takim tjetër javën e ardhshme për të diskutuar kërkesat e tjera ekonomike, si TVSH, akciza dhe kategoritë që udhëtojnë falas,” u shpreh shoqata.
