“`html
Buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 milionë euro më shumë TVSH në mars, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës.
Ndërsa përdoruesit e automjeteve kanë shpenzuar më shumë nga buxheti i tyre për të blerë karburant, për shkak të rritjes së çmimeve, buxheti i shtetit ka përfituar një rritje më të lartë të të ardhurave, si nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), ashtu dhe nga akciza.
Të dhënat zyrtare nga doganat tregojnë se importet totale të naftës në muajin mars ishin 53.6 mijë ton, me një rritje të lehtë prej 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në blerje, (çka bëri që çmimi në tregun e pakicës të arrijë në mesatarisht 200 lekë/litër në mars, nga 175 lekë në shkurt, me një rritje prej 14.5%), të ardhurat nga TVSH në doganë janë rritur në ritme shumë më të shpejta.
Në mars, të ardhurat nga TVSH mbi naftën, të mbledhura në doganë, arritën në 1.93 miliardë lekë, duke u rritur me 22.%, ose 359 milionë lekë më shumë.
Duke përjashtuar efektin e rritjes së importeve prej 2.8%, të ardhurat shtesë vetëm nga rritja e çmimeve në mars ishin rreth 320 milionë lekë, ose rreth 3.3 milionë euro. Kjo është shuma shtesë e ardhur vetëm nga TVSH e mbledhur në doganë, e cila llogaritet mbi çmimin e blerjes plus taksat (akciza 39.4 lekë dhe taksa e qarkullimit 27 lekë/litër).
Më pas, sipas operatorëve, këtij çmimi i shtohen shpenzimet e operimit dhe fitimi, të cilat janë minimalisht 5 lekë/litër tek shumica dhe 18 lekë te pakica, mbi të cilat llogaritet dhe TVSH-ja. Si rrjedhojë, në çmimin final, vlerës së mbledhur në doganë i shtohet rreth 30%, duke bërë që shuma e paguar si TVSH shtesë vetëm nga rritja e çmimit në mars të jetë rreth 4.3 milionë euro.
TVSH është një taksë mbi konsumin që përfshihet në çmimin final të produkteve dhe shërbimeve. Edhe pse mblidhet dhe derdhet në shtet nga prodhuesi ose tregtuesi, në fund i kalon konsumatorit përmes çmimit që ai paguan.
Sipas të dhënave nga Bordi i Transparencës, kur treguesi Platts, që është referenca e blerjes së naftës në vend, arriti në 1410 dollarë/ton, TVSH e paguar vetëm në doganë ishte rreth 34 lekë për litër, për një çmim final prej rreth 220 lekë për litër (kufiri ku fillon të llogaritet akciza e reduktuar).
Për krahasim, në fund të shkurtit, para fillimit të krizës në Lindjen e Mesme, kur Platts ishte 770 dollarë për ton, TVSH e paguar në doganë ishte 25 lekë/litër, ose 9 lekë për litër më pak. Pra, për një shtesë çmimi prej 45 lekë/litër, vetëm TVSH e paguar shtesë ishte 9 lekë.
TVSH e marrë shtesë kompenson tërësisht uljen e akcizës me 20%
Krahas TVSH-së, buxheti i shtetit ka arkëtuar më shumë dhe nga akciza.
Nga janari, akciza u indeksua me inflacionin, duke u rritur me 1.5%, për të arritur në 39.4 lekë pa TVSH, ose 0.6 lekë më shumë. Kjo bëri që në janar, të ardhurat nga akciza të rriten me 1.51%, ndonëse importet ranë me 4.6%, ndërsa në shkurt tkurrja ishte më e ulët se rënia e importeve.
Në mars, të ardhurat nga akciza u rritën me 8.76%, me ritme më të larta sesa importet.
Qeveria ndërkohë miratoi vendimin që nëse çmimi i naftës kalon mbi 220 lekë, akciza ulet me 20%, duke sjellë një kursim prej 9.4 lekë (përfshirë dhe TVSH-në). Por ky vendim u zbatua vetëm për 5 ditë, ndonëse vetëm nga TVSH e marrë shtesë nga çmimi, buxheti do të kompensonte tërësisht këtë ulje.
Nga njëra anë, qeveria ka zgjedhur të mos mbajë asnjë kosto, duke përfituar nga rritja e të ardhurave. Nga ana tjetër, këto të ardhura shtesë, të marra nga përdoruesit e automjeteve, nuk janë kthyer ende tek taksapaguesit në ndonjë formë.
Vetëm një ditë më parë, qeveria u detyrua të premtojë kompensim për transportin publik, pasi operatorët reduktuan ndjeshëm numrin e autobusëve në qarkullim, duke shkaktuar probleme në lëvizjen e qytetarëve.
Konsumatorët paguan 11 milionë euro më shumë
Ndryshe nga buxheti i shtetit, i cili ka arkëtuar më shumë të ardhura në mars si pasojë e rritjes së çmimeve, xhepat e konsumatorëve janë rënduar.
Të dhënat zyrtare nga Dogana bënë të ditur se konsumi i naftës në mars ishte 35.8 mijë ton, nga 33.8 mijë ton në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me një rritje prej gati 6%.
Në mars, konsumi ishte 35.8 mijë ton, ose rreth 42.4 milionë litra. Për të blerë këtë sasi, përdoruesit e mjeteve kanë shpenzuar rreth 8.5 miliardë lekë, ose rreth 87 milionë euro, me një çmim mesatar prej 200 lekë për litër.
Nëse kjo sasi do të ishte blerë me çmimin prej 175 lekë, shpenzimi do të ishte 7.4 miliardë lekë, ose 1.05 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) më pak.
“`
