Dogana Shqiptare avancon me modelet Europiane dhe Botërore

Shqipëria e angazhuar për avancimin e praktikave doganore sipas modeleve europiane

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin Vjetor të Drejtuesve të Doganave të rajonit të Evropës, që po zhvillohet në Bruksel, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Besmir Beja, zhvilloi një takim të veçantë me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Doganave, z. Ian Saunders.

Gjatë këtij takimi, u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Administratës Doganore Shqiptare dhe Organizatës Botërore të Doganave. Fokusi kryesor ishte mbështetja për proceset modernizuese, zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e digjitalizimit të shërbimeve doganore.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Beja, vlerësoi rolin kyç të Organizatës Botërore të Doganave në orientimin e reformave dhe promovimin e standardeve ndërkombëtare. Ai theksoi angazhimin e Shqipërisë për të avancuar më tej praktikat doganore, duke u përshtatur me modelet më të mira europiane dhe globale.

Në prezantimin e vizionit për doganat shqiptare, drejtori Beja theksoi prioritetet drejt plotësimit të kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto prioritete, në fushën e doganave, përqendrohen në:

  • Përafrimin e plotë të legjislacionit.
  • Zbatimin e 24 sistemeve të reja të teknologjisë së informacionit.
  • Përfshirjen e Inteligjencës Artificiale në analizën e riskut.
  • Rritjen dhe forcimin e burimeve njerëzore për të përballuar sfidat e procesit të integrimit.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm Saunders shprehu gatishmërinë për të vijuar mbështetjen ndaj Administratës Doganore Shqiptare, veçanërisht në drejtim të lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së efikasitetit operacional.

Scroll to Top