Nuk iu bind urdhrit të policisë, lëvizte i armatosur – arrestohet 23-vjeçari
Një 23-vjeçar është arrestuar nga policia në Kamëz pasi lëvizte i armatosur.
Sipas informacioneve të policisë, shtetasi A. K. është vënë në pranga teksa po lëvizte me motor. Ai nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe ka vijuar të lëvizë me shpejtësi.
Efektivët i janë vënë në ndjekje dhe më pas u arrestua bashkë me pasagjerin, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe një maskë. Më pas, pas një kontrolli në banesë, policia i gjeti 23-vjeçarit dhe dy armë të tjera: një armë gjahu dhe një armë sportive.
Njoftimi i Policise:
Kamëz/Finalizohet operacioni i koduar “Risku”. Lëvizte i armatosur dhe me maskë me vete, kapet 23-vjeçari, i cili nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar motomjetin që drejtonte.
Sekuestrohen 3 armë (1 pistoletë me municion, 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive), maska dhe motomjeti. Në pranga dhe pasagjeri në motomjet, për moskallëzim të krimit.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara në bazë të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që cenojnë sigurinë publike dhe përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale kundër personit dhe pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Risku”.
Gjatë operacionit, i është bërë shenjë ndalimi në fshatin Çekrezë, motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. K., 23 vjeç dhe A. A., 18 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Drejtuesi, shtetasi A. K. nuk i është bindur urdhrit, por ka vijuar lëvizjen me motomjet, me shpejtësi.
Si rezultat i ndjekjes, të dy shtetasit janë kapur dhe janë vënë në pranga.
Gjithashtu, është kryer kontroll në motomjet, ku janë gjetur 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, si dhe 1 maskë.
Më tej, është kryer kontroll në banesën e 23-vjeçarit, ku janë gjetur 1 armë gjahu dhe 1 armë sportive.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
