Diskutimet për president, Kurti: Abdixhikut i ofrova bashkëqeverisje, por e refuzoi
Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet për zgjedhjen e presidentit të ri kanë qenë të pasuksesshme. Duke folur për mediat, Kurti u shpreh se asnjë nga ofertat e propozuara nuk është pranuar nga Abdixhiku.
Kurti theksoi se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, të cilat ai i cilësoi si të panevojshme.
“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët e tjerë të ketë postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tre ministri të tjera. Kam pasur preferencën që Abdixhiku të bëhet zëvendëskryeministri im dhe të fillojmë një kapitull të ri. Në këtë mënyrë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, të panevojshme, të cilat i kushtojnë kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete financiare. Të paktën 1 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje, pasi nuk do të kemi numrin prej 80 deputetëve për të arritur kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, deklaroi Kurti.
