Nafta për transportin publik, Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet nesër
Nesër, Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet për të shqyrtuar një projektvendim të Qeverisë, i cili synon kompensimin e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas. Ky projekt, i kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës, bën pjesë në paketën “Anti-Krizë” dhe vjen si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, e cila është ndikuar nga konfliktet ndërkombëtare.
Projektvendimi i Qeverisë parashikon kompensimin e shoqërive të transportit me 50 lekë për litër karburanti. Ky kompensim do të jetë në fuqi për një periudhë tre-mujore, duke përfshirë muajt mars, prill dhe maj të vitit 2026. Fondi do të mbështesë konsumin e karburantit për periudhën e përmendur, por nuk do të tejkalojë sasinë e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025 nga secila shoqëri.
Pasi të marrë pëlqimin nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, vendimi do t’i paraqitet qeverisë për miratim përfundimtar.
