Buxheti fiton nga kriza, rritja e çmimeve dhe mbifurnizimet shtojnë 14% të ardhurat
Rritja e çmimeve dhe mbifurnizimet e shkaktuara nga kriza e luftës në Iran kanë ndihmuar qeverinë të rrisë të ardhurat buxhetore nëpërmjet Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Analiza e arkëtimeve në tremujorin e parë të vitit 2026 tregon një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga TVSH-ja në mars, pas dy muajve më të zbehtë.
Prurjet nga TVSH-ja muajin e kaluar arritën në 20.5 miliardë, duke regjistruar një rritje vjetore prej 14%. Siç tregojnë të dhënat, ka pasur një përshkallëzim në mbledhjen e kësaj takse, e cila filloi me një rritje modeste prej 2.1% në janar, vazhdoi me 5.5% në shkurt dhe kulmoi me një rritje dyshifrore në mars.
Presioni i çmimeve, i diktuar nga kriza në Iran, ka luajtur një rol të rëndësishëm. Pasi TVSH-ja aplikohet si përqindje mbi vlerën e mallrave, çdo rritje e kostos së produkteve bazë apo energjisë përkthehet automatikisht në më shumë të ardhura për buxhetin e shtetit, edhe nëse vëllimi i mallrave të blera do të mbetej i pandryshuar. Për shembull, buxheti i shtetit arkëtoi të paktën 3.3 milionë euro më shumë TVSH në mars, për shkak të shtrenjtimit të naftës.
Megjithatë, diferenca e madhe mes muajit janar dhe marsit sugjeron se nuk bëhet fjalë vetëm për inflacion, por edhe për një rritje reale të aktivitetit ekonomik. Kjo rritje vihet re për shkak të intensitetit më të lartë të turizmit dhe gjallërimit që sjell sezoni i pranverës. Fluksi i turistëve u rrit në mars, duke krijuar një efekt zinxhir që preku të gjithë sektorët e tjerë.
Edhe në të kaluarën, krizat, megjithëse mund të jenë një barrë për xhepat e qytetarëve, janë rezultuar shumë produktive për buxhetin e shtetit nëpërmjet rritjes së arkëtimeve nga taksat që vilen në përqindje të çmimeve.
Për shkak të bllokimit të ngushticës së Hormuzit, rritja e çmimit të karburantit në pakicë arriti nivele rekord mbi 220 lekë për litër në mars. Gjithashtu, Shqipëria importon mbi gjysmën e produkteve të saj bazë. Lufta ka shkaktuar një rritje të kostove të transportit ndërkombëtar dhe siguracioneve detare. Çdo produkt që vjen nga jashtë, si miell, vaj, sheqer, por edhe lëndë të para për industrinë, me çmim më të lartë në doganë, ndikon pozitivisht tek TVSH-ja, e cila mblidhet në momentin që malli hyn në kufi.
Të ardhurat u ndikuan pozitivisht edhe nga mbifurnizimet. Importet e grurit u rritën me 55% në tremujorin e parë të vitit 2026 në sasi, për shkak të frikës nga rritja e mëtejshme e çmimeve, ndërsa importet e ushqimeve u rritën rreth 20%.
Precedentët ku krizat kanë shëndoshur të ardhurat publike në vende të tjera, zakonisht përkthehen në më shumë paketa ndihme për shtresat në nevojë. Qeveritë në rajon dhe më gjerë aplikojnë paketa të përkohshme për të rishpërndarë një pjesë të këtyre të ardhurave tek shtresat më të varfra. Por qeveria shqiptare është më e ngurtë në këtë drejtim.
