“`html
Peleshi njofton se çështja është nën hetim; Kuvendi rrëzon dy kërkesa për interpelancë me ministrin e Bujqësisë për fondet e IPARD.
Gjatë hapjes së punimeve të Parlamentit, Niko Peleshi lexoi pikat e rendit të ditës, duke theksuar se Konferenca e Kryetarëve ka miratuar projekt-kalendarin për punimet në Kuvend. Ai sqaroi se çdo ministër do të ketë vetëm një fjalë.
U miratua bashkimi i interpelancave me 74 vota pro dhe 5 kundër. Megjithatë, kërkesa e deputetit Xhelal Mziu për interpelancë me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, lidhur me Fondet e IPARD, u rrëzua me 74 vota të mazhorancës. Njësoj, kërkesa e dy deputetëve të Partisë Mundësia për interpelancë me të njëjtin ministër për të njëjtën çështje, u rrëzua gjithashtu me votat e mazhorancës.
Kërkesat e deputetëve Kapri dhe Shehaj u rrëzuan me argumentin se çështja e fondeve IPARD është aktualisht nën hetim nga SPAK. Peleshi deklaroi: “U kam kthyer përgjigje për kthimin e kërkesës për interpelancë, janë në hetim nga SPAK. Për të mos ndërhyrë në organin e drejtësisë, kuvendi nuk mund të zhvillojë interpelanca për çështje që janë objekt hetimi penal.”
Deputeti Xhelal Mziu konsideroi vendimin të pavend dhe kërkoi të njihet me të drejtën e interpelancës. Ai u shpreh: “Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar interpelancë me ministrin e Bujqësisë dhe në mënyrë të papritur ju bëtë anulimin e kësaj interpelance. Ju pa të drejtë, duke përmendur fondet e IPARD dhe lidhjen me SPAK, bie ndesh me parimin se Parlamenti dhe SPAK janë dy institucione të ndryshme. Është e padrejtë dhe e pavend. Duhet të më jepet e drejta e interpelancës. U fshihët pas një justifikimi që është SPAK që po heton fondet e IPARD. Ne nuk kërkuam të bëhemi prokurorë për ministrin e Bujqësisë, por avokatë të situatës së bujqësisë.”
Mziu vuri në dukje një regres në bujqësi që nga viti 2020, duke deklaruar ulje me 1% çdo vit deri në vitin 2026, ndërsa fondet për bujqësinë janë ulur ndjeshëm, ndryshe nga buxheti i përgjithshëm që rritet. Ai shtoi: “Është viti i tretë që ne nuk marrim para nga fondet e BE, janë 33 milionë euro që OLAF i ka konsideruar si vjedhje dhe kanë qenë të qartë që paratë të kthehen dhe të bëhen përgjegjës personat përkatës për këtë skandal. Mos të harrojmë efektet që patën përmbytjet, kanë sjellë dëme prej më shumë se 300 milionë euro. Në Shqipëri ka 145 milionë euro buxhet për bujqësinë dhe vetëm 43 milionë euro shkojnë drejtpërdrejt te fermerët. Kemi mbështetjen më të vogël buxhetore në rajon, vetëm 1.8% nga buxheti i shtetit, dy herë më pak se Kosova dhe pesë herë më pak se Serbia. Ne sot kemi çmimin më të lartë të naftës në Shqipëri. Cili është ai fermer që bën punimin e naftës me këto çmime. Jeni e vetmja qeveri në botë që fërkoni duart kur ka luftë sepse rrisni çmimet në shifra stratosferike. Kjo është arsyeja që unë kërkova interpelancë, sepse është shqetësim real, nuk dua të bëj rolin e prokurorit për Ministrin e Bujqësisë.”
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, theksoi se fakti që çështja është nën hetim nuk përjashton përgjegjësinë e ministrit në Kuvend. Ai u shpreh: “Dje jemi njoftuar nga ju që kërkesa jonë gjithashtu me Ministrin e Bujqësisë për fondet e IPARD-it gjithashtu është anuluar. Po ashtu na keni anuluar interpelancën me kryeministrin Rama për mbrojtjen e të dhënave në lidhje me AKSHI, si dhe atë në lidhje me Air Albania. Pra argumenti juaj që ne nuk duhet të kërkojmë llogari në Kuvend sepse çështjet janë në hetim, i bie të mbyllim parlamentin sepse s’ka çështje madhore në këtë vend që të mos jetë nën hetim nga prokuroria, por ne s’kemi punë me prokurorinë. I kërkojmë llogari ministrit të Bujqësisë, i cili tha se në qershor hapet IPARD 3, KE thotë të kundërtën. Pra nuk ka logjikë të mohohen interpelancat. Se çfarë në hetim e di prokuroria, ama ministri duhet të japë llogari këtu.”
“`
