“`html
Tabaku përballë Malajt për rivlerësimin e pronave: Po mbroni ndërtuesit, jo qytetarët
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi gjatë seancës së sotme një seri pyetje-përgjigjeje me ministrin e Financave, Petrit Malaj, duke ngritur shqetësimin për mungesën e akteve nënligjore për ligjin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, megjithëse kanë kaluar katër muaj nga miratimi i tij në Kuvend.
Gjatë seancës, Tabaku ngriti një sërë pyetjesh të drejtpërdrejta mbi mungesën e akteve nënligjore. Por, sipas saj, ministri nuk dha përgjigje konkrete, duke u fokusuar në argumente teknike që ajo i cilësoi si “alibi” për të shmangur thelbin e problemit. Në qendër të akuzave ishte fakti se ligji, i prezantuar si një reformë për të ulur informalitetin dhe për të rritur të ardhurat në buxhet, sot nuk zbatohet për shkak të mungesës së akteve nënligjore.
Tabaku kërkoi të dijë pse qeveria mban të bllokuar procesin e rivlerësimit me arsyetimin e çmimeve të reja të referencës, ndërkohë që ato nuk u miratuan kurrë. Ajo ngriti gjithashtu dyshime të forta mbi humbjet që i shkaktohen buxhetit dhe bashkive, duke argumentuar se mbajtja në fuqi e çmimeve të vjetra favorizon drejtpërdrejt ndërtuesit, të cilët paguajnë taksa mbi një bazë shumë më të ulët se vlera reale e tregut.
Duke qenë se ministri nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve, në përgjigjen e saj, Tabaku e bëri të qartë se problemi nuk është teknik, por politik. “Ju kishit dy vite kohë për ta bërë këtë reformë dhe nuk bëtë asgjë. Sot, katër muaj pas ligjit, ende nuk ka akte nënligjore. Kjo nuk është vonesë. Kjo është zgjedhje,” deklaroi ajo, duke shtuar se qeveria ka zgjedhur të mos mbrojë as tregun, as qytetarët, por ndërtuesit. Sipas saj, kjo nuk është thjesht vonesë administrative, por një zgjedhje politike. “Kjo është zgjedhja juaj për të mos mbrojtur tregun, për të mos mbrojtur buxhetin e shtetit, por për të mbrojtur ndërtuesit,” u shpreh Tabaku.
Sipas Tabakut, afatet janë shkelur dhe çdo ditë vonesë i kushton qytetarëve dhe ekonomisë. Ajo theksoi se një treg i paformalizuar nuk është rastësi, por një sistem që favorizon një pakicë në kurriz të shumicës.
Deputetja demokrate hodhi poshtë edhe justifikimet për kohë shtesë, duke theksuar se vetë ministria ka pranuar se analiza dhe metodologjia janë gati. “Atëherë çfarë mungon? Vullneti politik,” u shpreh ajo. Sipas Tabakut, vetë qeveria ka deklaruar se janë analizuar 16,800 transaksione dhe se metodologjia është konsultuar. Për Tabakun, kjo tregon se puna teknike ka përfunduar dhe se ajo që mungon është vetëm vendimmarrja politike.
“Formalizim me çmime të vitit 2016 nuk është formalizim. Është mashtrim,” deklaroi ajo, duke shtuar se sot apartamentet në treg shiten me çmime shumë herë më të larta se ato mbi të cilat llogariten taksat.
Në fund, Tabaku solli edhe shifrat: Shqipëria mbledh vetëm 0.3% të PBB-së nga taksa e pronës, ndërkohë që potenciali është deri në 0.9%. Diferenca, sipas saj, janë dhjetëra miliona euro që humbasin çdo vit për shkak të kësaj situate. “Çdo ditë që kalon nuk është më thjesht vonesë. Është padrejtësi që vazhdon,” përfundoi ajo, duke i kërkuar ministrit një përgjigje të qartë për kohën dhe arsyet e kësaj zvarritjeje.
“`
