Kriza në Rumani: 7 ministra japin dorëheqje, qeveria pro-evropiane në rrezik

Kriza politike në Rumani! 7 ministra japin dorëheqje, qeveria pro-evropiane në rrezik

Një krizë e re politike ka shpërthyer në Rumani. Shtatë ministra nga Partia Socialdemokrate (PSD) kanë dhënë dorëheqje nga qeveria e koalicionit pro-evropian të kryeministrit Ilie Bolojan. Kjo dorëheqje i ka hequr qeverisë shumicën parlamentare dhe ka vënë në rrezik stabilitetin politik të vendit.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, tërheqja e ministrave vjen si pasojë e përplasjeve të forta brenda koalicionit për masat e shkurtimeve buxhetore dhe reformave fiskale të ndërmarra nga qeveria.

Socialdemokratët (PSD), të cilët deri më tani kishin mbështetur politikat e kabinetit, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Bolojan, i cili vjen nga Partia Nacional-Liberale (PNL). Ata e akuzojnë kryeministrin për politikat e reduktimit të shpenzimeve publike dhe përpjekjet për uljen e deficitit buxhetor.

Kryeministri Bolojan ka refuzuar të japë dorëheqjen. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë punën duke emëruar ministra të përkohshëm nga anëtarët e mbetur të kabinetit. Sipas ligjit, këta ministra mund të qëndrojnë në detyrë deri në 45 ditë, periudhë pas së cilës kërkohet formimi i një qeverie të re të miratuar nga parlamenti.

Në zhvillimet politike, PSD ka paralajmëruar paraqitjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë. Ky mocion mund të çojë në rrëzimin e saj nëse merr mbështetjen e opozitës së djathtë ekstreme, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, e cila është forca e dytë më e madhe në parlament.

Në një deklaratë zyrtare, PSD ka shprehur gatishmërinë për të formuar një qeveri të re pro-evropiane. Ata kanë theksuar se janë të hapur për bashkëpunim me çdo kryeministër, qoftë politikan apo teknokrat, që mund të sigurojë shumicën parlamentare dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve.

Nga ana tjetër, PNL e kryeministrit Bolojan ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të ri me të majtën. Kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e një formule të re qeverisëse.

Koalicioni aktual ishte formuar rreth dhjetë muaj më parë me qëllim frenimin e rritjes së partive të ekstremit të djathtë. Megjithatë, ai është përballur vazhdimisht me tensione të brendshme, veçanërisht për çështjet e reformave fiskale dhe shkurtimit të shpenzimeve publike.

Kriza e re pritet të sjellë zhvillime të shpejta në skenën politike rumune. Vendin e pret pasiguri mbi vazhdimësinë e qeverisjes dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Scroll to Top