Tatimet, gjatë vitit të kaluar u mblodhën 4.7 miliardë euro të ardhura
Administrata Tatimore ka mbledhur më shumë se 4.7 miliardë euro të ardhura gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 11.8% krahasuar me vitin paraardhës, ose afro 500 milionë euro më shumë. Ndërkohë, janë kryer rimbursime të TVSH-së me vlerë rreth 262 milionë euro, një rritje prej 13%.
Këto shifra, të publikuara në raportin vjetor për vitin 2025, pasqyrojnë jo vetëm forcën e ekonomisë shqiptare, por edhe aftësinë dhe përkushtimin e punonjësve të Administratës Tatimore. Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Binaj, theksoi në hyrje të raportit se deri më 31 mars 2025, janë dorëzuar 320 mijë deklarata për tatimin mbi të ardhurat personale dhe të korporatave, duke e bërë këtë një nga sezonet më të suksesshme të deklarimeve tatimore.
Të dhënat kryesore për vitin 2025:
- Të Ardhurat Tatimore: Të ardhurat tatimore për vitin 2025, të programuara në 282.2 miliardë lekë, janë realizuar në vlerën 280.9 miliardë lekë, me një mosrealizim prej 1.3 miliardë lekë (0.5% më pak). Krahasuar me vitin 2024 (249.8 miliardë lekë), të ardhurat janë në rritje me 31.1 miliardë lekë (12.5%).
- Të Ardhurat nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore: Të ardhurat nga këto kontribute, të programuara në 171.4 miliardë lekë, janë realizuar në vlerën 172.5 miliardë lekë, me një realizim prej 1.0 miliardë lekë (0.6% më shumë). Krahasuar me vitin 2024 (155.9 miliardë lekë), rezultatet janë në rritje me 16.6 miliardë lekë (10.6%).
Të Ardhurat Tatimore sipas llojit (Janar – Dhjetor 2025):
- Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH): Të ardhurat nga TVSH-ja neto, të programuara në 65.9 miliardë lekë, janë realizuar në vlerën 68.7 miliardë lekë, me një realizim prej 2.9 miliardë lekë (4.3% më shumë). Krahasuar me vitin 2024 (59.8 miliardë lekë), të ardhurat janë arkëtuar 8.9 miliardë lekë ose 15% më shumë.
- Rimbursimi i TVSH-së: Rimbursimet, të programuara në 26.7 miliardë lekë, janë realizuar në vlerën 25.3 miliardë lekë, me një mosrealizim prej 1.4 miliardë lekë (5.1% më pak). Krahasuar me vitin 2024 (22.4 miliardë lekë), rimbursimet janë më të larta me 2.9 miliardë lekë (13.1%).
- Tatimi mbi Fitimin: Të ardhurat nga ky tatim, të programuara në 60.4 miliardë lekë, janë arkëtuar 58.7 miliardë lekë, me një mosrealizim prej 1.7 miliardë lekë (2.8% më pak). Krahasuar me vitin 2024 (57.5 miliardë lekë), të ardhurat janë realizuar 1.2 miliardë lekë ose 2.1% më shumë.
- Tatimi mbi të Ardhurat Personale: Ky tatim, i programuar në 84.2 miliardë lekë, është realizuar në vlerën 82.7 miliardë lekë, me një mosrealizim prej 1.5 miliardë lekë (1.8% më pak). Krahasuar me vitin 2024 (66.7 miliardë lekë), të ardhurat janë realizuar 16 miliardë lekë ose 23.9% më shumë.
- Taksat Kombëtare dhe Tarifa: Të ardhurat nga këto kategori, të programuara në 18.8 miliardë lekë, janë arkëtuar 18.5 miliardë lekë, me një mosrealizim prej 0.3 miliardë lekë (1.7% më pak). Krahasuar me vitin 2024 (19.5 miliardë lekë), mbledhja është në rënie prej 1 miliardë lekë (5.3%).
- Taksa e Qarkullimit Rrugor dhe Karburantit: Të ardhurat, të programuara në 23.8 miliardë lekë, janë arkëtuar 24.2 miliardë lekë, me një realizim prej 0.4 miliardë lekë (1.7% më shumë). Krahasuar me vitin 2024 (21.3 miliardë lekë), të ardhurat janë realizuar me rritje prej 2.8 miliardë lekë (13.4%).