Çmimet e kampingut në trend rritës, Shqipëria destinacioni më i lirë në Europë
Shqipëria vazhdon të mbetet destinacioni më ekonomik për pushime në kamping në Europë, sipas një raporti të publikuar nga portali gjerman camping.info. Raporti tregon se çmimi mesatar për një natë kampingu për dy persona në Shqipëri është 14.38 euro. Ky çmim përfshin vendqëndrimin, karvanin, makinën, energjinë elektrike dhe taksën lokale, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të përballueshme në kontinent për pushime në natyrë.
Në nivel europian, kostoja mesatare për një natë kampingu për dy persona varion nga 14.38 euro deri në 41.26 euro, në varësi të vendit dhe cilësisë së shërbimeve. Në krahasim me vitin e kaluar, çmimet në Europë janë rritur mesatarisht me 3.49%.
Ndër kampingjet më të vlerësuara në Shqipëri për vitin 2026 është “Kamping Pa Emër”, i cili është shpallur kampingu më i mirë në vend. Sipas Maximilian Möhrle, drejtor menaxhues i camping.info, ky kamping ofron një raport shumë të mirë cilësi–çmim. Ai gjithashtu këshillon udhëtarët me buxhet të kufizuar të kërkojnë kampingje larg destinacioneve turistike kryesore.
Kampingimi si formë pushimi është mjaft i ndryshëm dhe varet nga preferencat individuale: disa kërkojnë komoditet dhe shërbime luksoze, ndërsa të tjerë preferojnë thjeshtësinë dhe kontaktin me natyrën. Gjithashtu, edhe buxheti i pushuesve ndryshon.
Analiza e camping.info bazohet në të dhënat e çmimeve të publikuara direkt nga operatorët në platformë.
Çmimet mesatare të kampingut në Europë në vitin 2026:
- Kroaci: €41.26
- Itali: €41.21
- Zvicër: €40.68
- Austri: €40.56
- Slloveni: €35.71
- Spanjë: €34.82
- Danimarkë: €34.35
- Gjermani: €30.27
- Norvegji: €29.44
- Finlandë: €28.46
- Luksemburg: €28.23
- Suedi: €28.22
- Britani e Madhe: €27.00
- Francë: €26.75
- Islandë: €26.75
- Holandë: €26.34
- Irlandë: €26.38
- Portugali: €26.27
- Greqi: €26.07
- Hungari: €24.80
- Belgjikë: €23.77
- Sllovaki: €23.37
- Bullgari: €22.88
- Lituani: €22.67
- Serbi: €21.34
- Estoni: €21.16
- Letoni: €20.54
- Republika Çeke: €20.15
- Poloni: €19.93
- Rumani: €19.63
- Bosnjë-Hercegovinë: €19.37
- Maqedoni e Veriut: €18.35
- Turqi: €15.04
- Shqipëri: €14.38
camping.info, me bazë në Berlin, është një nga platformat më të popullarizuara të kampingut në vendet gjermanishtfolëse, duke listuar mbi 23,000 kampingje në 44 vende. Platforma, nëpërmjet faqes së saj të internetit dhe aplikacionit, u ofron mbështetje kampistëve në gjetjen dhe planifikimin e pushimeve të tyre në kamping.
