Biznesmen humb jetën në safari nga sulmi i elefantëve

Një biznesmen amerikan humbi jetën në Afrikë pasi u sulmua dhe u shkel për vdekje nga një tufë elefantësh gjatë një safari.

Ernie Dosio, 75 vjeç, ndodhej në parkun tropikal Lope-Okanda National Park, ku po merrte pjesë në një gjueti të organizuar, sipas raportimeve të Daily Mail, duke cituar organizatorin e safarit Collect Africa.

Ngjarja ndodhi teksa Dosio dhe një gjuetar profesionist po kërkonin gjah. Papritur, ata u përballën me një tufë prej pesë elefantësh femra së bashku me një këlysh. Duke u ndjerë të kërcënuara, kafshët reaguan me agresivitet dhe sulmuan.

Gjuetari profesionist u plagos rëndë gjatë përplasjes dhe humbi armën, ndërsa Dosio, megjithëse i armatosur, nuk arriti të mbrohej dhe u shkel nga elefantët.

Të afërmit e Dosio theksuan se ai ishte një gjuetar me përvojë të gjatë dhe kishte marrë pjesë në shumë safari të licencuara, duke veçuar se aktivitetet e tij ishin zhvilluar brenda rregullave të kontrollit të faunës.

Elefanti afrikan është kafsha më e madhe tokësore në botë dhe mund të bëhet jashtëzakonisht e rrezikshme kur ndjen kërcënim, veçanërisht nëse në tufë ka këlyshë. Femrat mund të arrijnë shpejtësi deri në 40 km/orë, duke e bërë pothuajse të pamundur shmangien e një sulmi në distancë të afërt.

Scroll to Top