Thellohet skandali në Itali: Përgjimet zbulojnë takime sekrete në “San Siro” për favorizimin e Interit
Prokuroria e Milanos ka njoftuar se Xhanluka Roki, përgjegjës për caktimin e gjyqtarëve në Serinë A, është nën hetim për mashtrim sportiv. Ai akuzohet për ndikim të drejtpërdrejtë në favorizimin e skuadrave apo edhe të ngjarjeve gjatë ndeshjeve.
Skuadra që dyshohet se ka përfituar nga veprimet e Roki-t është Interi, siç tregojnë edhe përgjimet e siguruara nga Prokuroria. Sipas agjencisë së lajmeve “Agi”, hetimi përfshin tre akuza kryesore:
- Akuza e parë: Roki, në rolin e tij si caktues i gjyqtarëve të AIA-s dhe në bashkëpunim me persona pranë stadiumit “San Siro”, gjatë ndeshjes së Kupës së Italisë ka ndërhyrë për emërimin e Andrea Kolombos si gjyqtar të ndeshjes së Serisë A Bolonja-Inter (datë 20 prill 2025). Qëllimi ishte caktimi i një arbitri që favorizonte Interin, i cili ishte në luftë për titull në fazën e fundit të sezonit.
- Akuza e dytë: Prokuroria pretendon se Roki, sërish në bashkëpunim me persona pranë stadiumit “San Siro”, gjatë ndeshjes së parë të Kupës së Italisë (datë 2 prill 2025), ka komanduar apo përcaktuar caktimin e gjyqtarit Daniele Doveri për gjysmëfinalen e turneut (datë 23 prill 2025). Qëllimi ishte sigurimi që Doveri të mos arbitronte finalen e Kupës së Italisë apo ndeshjet e mbetura të Serie A, të cilat kishin “interes më të madh për ekipin milanez”, për të cilin ai konsiderohej “pak i pëlqyer”.
- Akuza e tretë: Kjo akuzë i referohet ndeshjes Udineze-Parma (datë 1 mars 2025). Si mbikëqyrës i VAR, Roki, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka ndikuar te zyrtari i VAR, Daniele Paterna, duke e bindur atë të kryente një shqyrtim në fushë të gjyqtarit Fabio Mareska. Kjo për të dhënë një penallti në favor të Udinezes, pavarësisht se Paterna kishte një mendim të ndryshëm.
Akuzat janë shumë serioze dhe pritet të zbardhet se cilët drejtues ekipesh kanë bashkëpunuar me Roki-n. Ky skandal, që po merr përmasa të mëdha, krahasohet me “Calciopoli” dhe mund të ketë pasoja të rënda për Interin.
