Berisha: Sulmet kibernetike nuk janë iraniane, por “Surrelase” të koordinuara nga AKSHI
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në të dhënat e qytetarëve nuk lidhen me Iranin, por janë, sipas tij, të organizuara nga kryeministri Edi Rama dhe institucionet shtetërore.
Gjatë një takimi me drejtuesit e degëve të Tiranës, Berisha pretendoi se operacioni është drejtuar nga AKSHI dhe akuzoi mazhorancën për ndërhyrje masive në email-et e qytetarëve.
Në fjalën e tij, Berisha kërkoi largimin e menjëhershëm të qeverisë, duke e cilësuar atë si përgjegjëse për situatën aktuale. Kryedemokrati gjithashtu kritikoi qëndrimet e kryeministrit në raport me politikën e jashtme, duke e akuzuar për qëndrime të luhatshme dhe për afrimitet me figura dhe politika që, sipas tij, bien ndesh me interesat europiane.
“I tërë ky operacion është drejtuar nga AKSHI. Nuk janë iranianët, por ‘surrelasit’ e Ramës. Ata që kanë hakeruar masivisht emailat e pronarëve. Nuk ka më pronë të sigurtë. Në të gjitha këto, për çdo anëtar, për çdo mbështetës, për çdo qytetar, duhet të jetë e qartë se qëndresa dhe vetëm qëndresa jonë është shpresa e vetme dhe e fundit. Ne nuk do dorëzohemi. Ky hajdut duhet të ikë sa më parë, ky armik. Kjo bandë kriminale duhet të largohet sa më shpejt nga pushteti. Ky mendon se bën çdo akt që të shpërqendrojë. Po morali i tyre është morali i horave. A e dëgjuat kryediplomatin? Kryediplomati i tij, që s’ka asnjë lidhje me shqiptarët, ju çon mesazhe ambasadorëve. Po ata idiotët shqiptarë, çfarë bëjnë për shqiptarët në Maqedoni? Serbët u thonë dru me pre. Ultranacionalistët serbë, ultranacionalistët maqedonas më shumë se aq nuk u thonë. Dhe pse idiotët, ministri, pse idiotët? Sepse një portal maqedonas ka shkruar për vjedhjet e Edi Ramës. Po ja, dje, gazeta e dytë më e madhe e Francës i rikujtoi vjedhjet me radhë, sepse po i jep mend Evropës. Sepse u rreshtua me Putinin. Ky para tre muajsh thoshte, Evropa është vend i paqes. Evropa është kultura e paqes. Është paqja e shkruar paqes. Dhe Evropa nuk mund të marrë mësime përtej Atlantikut”, tha Berisha.
