Tomashevski: Flik do ta shkatërrojë Barçën si Gjermaninë

Legjenda polake kritikon ashpër Hansi Flik: Do ta shkatërrojë Barçën siç bëri me Gjermaninë

Në Poloni nuk janë të kënaqur me punën e trajnerit Hansi Flik. Situata e Robert Levandovskit, i cili po zëvendësohet në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, po nxit komente të ndryshme kundrejt trajnerit gjerman. I fundit që ka bërë deklarata të forta është ish-portieri Jan Tomashevski.

“Trajneri gjerman po e trajton Robert Levandovskin, në këtë moment, në të njëjtën mënyrë siç trajton gjithë skuadrën e Barcelonës. Ai nuk është i aftë të menaxhojë një ekip elitar në Evropë dhe kjo shihet çdo javë”, ka deklaruar Tomashevski.

Ish-portieri polak shkon edhe më tej, duke siguruar se Flik po shkatërron situatën sportive të Barçës dhe se gjërat do të përfundojnë po aq keq sa edhe me kombëtaren gjermane.

“Duhet ta pranoni, zoti Hansi Flik, se e keni shkatërruar plotësisht situatën, ashtu siç shkatërruat punën tuaj me kombëtaren gjermane. Koha juaj te Barça nuk do të përfundojë mirë dhe do ta prishni ekipin”, ka përfunduar Tomashevski.

Ky paralajmërim vjen nga një legjendë e kombëtares polake, i cili bëri bujë në Botërorin e vitit 1974 në Gjermani, sidomos pas paraqitjes në ndeshjen vendimtare të skuadrës së tij kundër Anglisë në Uembli.

Scroll to Top