Abuzim në çerdhe Indonezi: 20 fëmijë të lidhur, 13 të arrestuar

Pamje tronditëse në një çerdhe në Indonezi: 20 fëmijë të shtrirë në një dhomë të vogël, të lidhur dhe pothuajse të zhveshur

Pamjet e rënda nga një çerdhe në Indonezi janë kthyer në virale në internet, duke zbuluar një rast të abuzimit me të miturit. Si pasojë, 13 persona janë arrestuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në një qendër kujdesi për fëmijë.

Rasti është denoncuar nga një ish-punonjëse e qendrës. Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë tregojnë fëmijët, shumica nën moshën 2-vjeçare, të shtrirë në dysheme vetëm me pelena. Vogëlushët janë të lidhur me lecka në duar dhe këmbë. Sipas zyrtarëve vendas, në një dhomë me përmasa 3X3 metra ishin grumbulluar 20 fëmijë.

Në mesin e personave të arrestuar janë 11 kujdestarë, drejtori i çerdhes dhe kreu i fondacionit që menaxhonte qendrën. Ata përballen me akuza të shumta, përfshirë neglizhencën ndaj fëmijëve, ndërsa akuza të tjera mund të shtohen gjatë hetimit.

Të dyshuarit kanë deklaruar para policisë se lidhja e disa fëmijëve kishte si qëllim parandalimin e shqetësimit të të tjerëve. Ata pretenduan gjithashtu se qendra kishte mungesë personale dhe stafi nuk ishte i mjaftueshëm për të larë dhe veshur fëmijët.

Qendra e kujdesit ditor strehonte rreth 100 fëmijë, dhe policia dyshon se më shumë se gjysma e tyre mund të kenë qenë viktima të keqtrajtimit.

Prindërit kanë shprehur shqetësimin dhe alarmimin e tyre pas publikimit të rastit. Njëri prej tyre, Noorman Windarto, ka treguar se u trondit kur mori një telefonatë nga një prind tjetër, i cili e këshilloi të merrte fëmijën e tij dyvjeçar. Më vonë, ai mori vesh nga policia se djali i tij, i cili e ndiqte qendrën që nga mosha tre muajshe, ishte mes atyre që ishin lidhur.

“Zemra ime u copëtua,” tha Noorman, një nëpunës civil 42-vjeçar. “Gruaja ime qau.” Ai shtoi se kujdestaret, shumica gra, dukeshin të buta dhe fetare.

Noorman paguante rreth 64 dollarë amerikanë në muaj për të dërguar dy fëmijët e tij në këtë qendër, e cila që atëherë është mbyllur. Djali i tij ishte shtruar vazhdimisht në spital me pneumoni, duke bërë që babai të dyshojë tani se kjo mund të ketë lidhje me faktin që detyrohej të flinte në dysheme të ftohtë pa rroba.

“Jam shumë i zemëruar, i tërbuar,” deklaroi Noorman. “Ata duhet të ndëshkohen sa më rëndë të jetë e mundur.”

Sipas ligjit indonezian për mbrojtjen e fëmijëve, të dyshuarit përballen me dënime deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 100 milionë rupish.

Scroll to Top