SPAK thellon hetimet ndaj Belinda Ballukut

SPAK thellon hetimet ndaj Ballukut, kontroll banesave dhe bizneseve të familjarëve

SPAK ka urdhëruar kontrolle të reja në kuadër të hetimeve që po kryen ndaj ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me dyshimet për abuzime me tenderat e rrugëve me vlerë qindra miliona euro.

Burime pranë Prokurorisë së Posaçme konfirmuan për News 24 se janë miratuar, me vendim gjykate, të paktën 15 kontrolle. Këto kontrolle përfshijnë edhe familjarë të saj dhe janë të lidhura me hetimin e pasurisë.

Është ushtruar kontroll në banesën e Mired Reçit, djalit të tezes së Belinda Ballukut, si dhe tek persona të tjerë të lidhur me të. Mired Reçi rezulton të jetë ortak me 49% të aksioneve në dy kompani: “XL MARKET” shpk dhe “Hippo Tregu Elektrik” shpk. Ortaku tjetër në këto kompani është Meland Qirko, kunati i zv.kryeministres Balluku, i martuar me motrën e saj, Pamela Qirko.

Këto kontrolle, që pasojnë ato të dhjetorit 2025 dhe janarit të këtij viti, kanë sjellë sekuestrimin e celularëve dhe dokumentave, të cilat sipas prokurorëve i shërbejnë hetimit të çështjes. Prokurorët e Posaçëm kanë kërkuar gjithashtu informacion jashtë vendit, përmes letërporosive.

Belinda Balluku është e pandehur për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për lotet e Unazës së Madhe, me vlerë qindra miliona euro. Ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë në fuqi dy masa sigurie: ndalim për të dalë jashtë vendit dhe pezullim nga ushtrimi i funksioneve. Më herët, maxhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e SPAK për leje arrestimi për Ballukun.

Duke u nisur nga kontrollet e fundit dhe faza e re në të cilën kanë hyrë hetimet, mbetet për t’u parë nëse Prokurorët e Posaçëm do ta ripërsërisin kërkesën për leje për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.

Scroll to Top