Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një paralajmërim lidhur me pasojat e një konflikti të mundshëm me Iranin, duke theksuar se ato do të ndihen për vite me radhë.
Zyrtarja më e lartë e Bashkimit Evropian ka deklaruar se lufta me Iranin do të vazhdojë të ketë një ndikim negativ në Evropë për një periudhë të gjatë.
“Pasojat e këtij konflikti mund të ndihen për muaj, apo edhe vite të ardhshme”, ka thënë ajo gjatë një fjalimi para parlamentit të BE-së, të cilin e ka cilësuar si një “realitet të ashpër”.
Ajo shtoi se mësimi që duhet nxjerrë është se miksi energjetik i BE-së duhet të kalojë nga lëndët djegëse fosile të importuara drejt burimeve të rinovueshme.
Si përgjigje ndaj kësaj situate, BE-ja ka lehtësuar rregullat e saj të konkurrencës, duke u mundësuar bizneseve të marrin më shumë subvencione për kostot shtesë të karburantit dhe plehrave.
