“`html
Deputeti i PD takon Ilir Metën në burg: Nuk lejohet të takojë prindërit e sëmurë!
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë takimit, ai u informua për kushtet në të cilat ndodhet Meta, duke shprehur shqetësime lidhur me trajtimin e tij në qeli.
Sipas deputetit Balliu, në qelinë e Metës nuk funksionon sistemi i sinjalizimit për të thirrur efektivët e policisë. Gjithashtu, janë vënë re kufizime në komunikimin e tij me përfaqësues të Partisë së Lirisë dhe me prindërit e tij, të cilët janë të sëmurë.
Klevis Balliu deklaroi:
- “Sot pata mundësinë të bëj një inspektim dhe të takohem me presidentin Ilir Meta. Kisha dëshirë ta sqaroja për disa gjëra, por në fund ai më sqaroi mua, pasi është më i qartë se ne që jemi jashtë.”
- “Niveli komunist është i pandryshueshëm, pavarësisht viteve që kalojnë. Ata përpiqen me lojëra të ndryshme për të vështirësuar kushtet e presidentit Meta.”
- “Mund t’ju them, për shembull, që e vetmja qeli në të gjithë burgun ku nuk punon sinjali për të thirrur oficerin e policisë, është qelia e Ilir Metës. Vetëm kjo mjafton për t’ju treguar se sa imtësisht merren me këto çështje.”
- “Ilir Meta i përballon të gjitha dhe atë ‘kafaz’ që përpiqen t’ia imponojnë gjatë gjyqit. Ai kërkon minimumin e nevojshëm në çdo vend të botës: mundësinë e komunikimit me deputetët e tij si kryetar partie, ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar kuvendi.”
- “Sot, edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ai duhet të komunikojë nëpërmjet dikujt tjetër, sepse nuk lejohet të flasë drejtpërdrejt.”
- “Prej 19 muajsh, Ilir Meta nuk ka takuar prindërit e tij të sëmurë, sepse çdo gjë bëhet me një listë shumë të kufizuar. Atij i duhet të përfshijë në listë edhe avokatin, edhe deputetët, edhe për të informuar, edhe për veprimet politike dhe gjithçka tjetër.”
- “E vetmja gjë që ai kërkon është që seancat të jenë publike, që qytetarët të dëgjojnë për çdo vjedhje të Ilir Metës, qoftë edhe një cent të shtetit shqiptar. Ai kërkon që të jetë publike.”
- “Një njeri që ka probleme me ligjin, e vetmja gjë që nuk kërkon është të jenë seancat publike; i kërkon të fshehta. Dhe për këtë arsye, qeveria, Edi Rama, po bën çmos që seancat gjyqësore të jenë të fshehta.”
- “Po ju kujtoj rastin e Navalnit. Navalnit iu dha mundësia të jepte intervistë në burg në Siberi. Ilir Metës nuk i jepet kjo mundësi. Është një rast unikal në botë. Ndërsa ata na flasin për diktaturë, Navalnit iu dha mundësia për intervistë, ndërsa Ilir Metës jo.”
- “Ai kërkon intervistat me gazetarët të jenë të regjistruara, që çdokush të ketë mundësinë të dëgjojë se çfarë po ndodh. Por pushteti, pasi nuk kanë gjetur, dhe këtë jua jap me garanci, veç shpifjeve për çështje të gjykuara ndërkombëtarisht si ajo e CEZ-DIA, e rikthejnë me pretendime të disa njerëzve të cilët vetë kanë qenë pjesë e atyre strukturave dhe kurrë nuk kanë përmendur emrin e Ilir Metës.”
- “Sot ky njeri mbetet aty, në shkelje të ligjit, në shkelje të të gjitha afateve. E vetmja gjë që kërkon është transparenca me qytetarët. Transparenca që qytetarët të dinë për çfarë është aty; nuk është aty për vjedhje, por për denoncimin e aferave korruptive të Edi Ramës, siç shumë qytetarë po vuajnë sot në kurriz.”
- “Ilir Meta ndodhet prej gati 19 muajsh, thuajse dy vite, në paraburgim, në burgim pa asnjë akuzë, pavarësisht se ka qenë president i Republikës, kryetar i Kuvendit dhe kryeministër i vendit.”
“`
