Ulje Cmimesh Karburante: Gazoili Merr 3 Lekë Më Pak

Bordi i transparencës vendos çmimet e reja të karburanteve, ulet nafta

Bordi i Transparencës, në mbledhjen e radhës, ka vendosur çmimet e reja tavan për tregtimin e nënprodukteve të naftës, të cilat do të hyjnë në fuqi sot në orën 11:30.

Sipas vendimit të Bordit:

  • Çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 203 lekë/litër.
  • Çmimi me shumicë për gazoilin do të jetë jo më shumë se 191 lekë/litër, duke shënuar një ulje prej 3 lekë/litër.
  • Për benzinën, çmimi tavan në pakicë është përcaktuar 180 lekë/litër dhe 168 lekë/litër në shumicë.

Këto çmime pasqyrojnë luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe kursin e këmbimit valutor.

Autoritetet bëjnë të ditur se çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të rishikohen në bazë të zhvillimeve të tregut. Është theksuar detyrimi për të gjithë operatorët e tregtimit me pakicë dhe shumicë që të zbatojnë vendimin. Në rast shkeljesh, paralajmërohet pezullim i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.

Në një sqarim zyrtar, Bordi thekson se, referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i akcizës mbetet në 100%, pasi çmimet e vendosura janë nën pragjet e përcaktuara prej 220 lekë/litër për gazoilin dhe 200 lekë/litër për benzinën.

Institucionet përgjegjëse, përfshirë ministritë e linjës, vijojnë angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Scroll to Top