Vuçiç nxjerr bllof Ramën për “Open Balkan”

“`html

KRONOLOGJIA/ Vuçiç e nxjerr bllof Ramën për idenë e Open Balkan

Presidenti serb deklaron: “Ballkani i Hapur ishte ideja ime, por ajo u ndërpre sepse disa fuqi të mëdha europiane nuk e kishin “timonin në duar”.

Polemikës së zhvilluar për një kohë të gjatë në Shqipëri, mbi nëse nisma e Open Balkan ishte një ide e Beogradit, që i vinte në ndihmë përfitimeve të Serbisë, madje duke izoluar edhe Kosovën, i ka dhënë përgjigje më së fundi vetë presidenti Vuçiç. Ai e ka pohuar publikisht se kjo qe një ide e tij, që më pas u përqafua edhe nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev.

“Ballkani i Hapur ishte ideja ime, por ajo u ndërpre sepse disa fuqi të mëdha europiane nuk e kishin “timonin në duar”, tha ai në një intervistë me Alistair Campbell, në « The Rest is Politics », në platformën Apple. Pikërisht kjo thënie e presidentit serb është shkëputur për t’u nxjerrë si titull kryesor edhe në mediat e këtij vendi.

Por, nga ana tjetër, për vite me radhë, para se të merrte sinjalet për të dalë nga kjo nismë në korrik 2023, Edi Rama nuk e ka pranuar kurrë se kjo ide e kishte origjinën në Beograd. Ndërkohë që Albin Kurti, e dënonte këtë nismë duke këmbëngulur se qëllimet e rajonit arriheshin “më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë”, Rama kundërshtonte këtë qasje.

Ai i përgjigjej homologut të tij kosovar: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”. Madje edhe liderëve evropianë Rama u kërkonte që në pamundësi për t’i integruar vendet e Ballkanit në BE, ata duhet të përkrahnin Open Balkan.

“Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, ndoshta BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai në një artikull me emër në Politico, duke përsëritur të njëjtën tezë që hodhi gjatë një samiti në Bërno të Sllovenisë, mes BE dhe vendeve të rajonit, në tetor 2021.

Dhe për të gjitha këto, ai mori disa herë falënderimet e Vuçiçit: “pa vendosmërinë dhe këmbënguljen e Ramës, “Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur”.

Disa muaj pas Samitit të Bërnos, në krah të dy partnerëve të tij maqedonë dhe serbë, ai kërcënoi se do të bojkotonte samitin e përbashkët me BE-në duke ngritur pyetjen: “Çfarë të bëjmë atje”? Por ama, kur më në fund shkuan “atje”, Rama gati i kërcënoi vendet evropiane. Ai përmendi në fjalimin e tij para liderëve evropianë terma si luftë, konflikt, gjakderdhje, ndërkohë që po në atë datë, më 24 qershor 2022, Vuçiç i thoshte të njëjtit auditor: “ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina”, duke dhënë si alternativë Open Balkan.

Një nga argumentet që Edi Rama jepte për të vazhduar “aventurën” e tij me Vuçiçin për të çuar përpara “Open Balkan” ishte edhe ajo se këtë nismë e mbështesnin 59% e shqiptarëve. Në prill të 2022, kryeministri zhvilloi të ashtuquajturin Këshillim Kombëtar, ku nga mbi rreth 500 mijë të pyetur rezultoi se shumica ishin pro një rajoni me lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.

Madje, disa ditë pasi i shpalli këto rezultate publikisht, Rama shkoi gjatë një vizite zyrtare në Berlin dhe tha në krah të kancelarit Scholz se pavarësisht se Gjermania i kërkonte fokusim tek procesi i Berlinit, ai kishte mandatin e shqiptarëve për të çuar përpara idenë serbe.

Megjithatë, me kalimin e kohës disa sekrete filluan të dalin. Faktin se kemi të bëjmë me një ide serbe e pranoi fillimisht Moska me gojën e ministrit të saj të jashtëm, në qershor 2022. Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, e kishte pohuar plotësisht se Ballkani i hapur është një nismë serbe dhe se ndryshe nga Brukseli që do një gadishull të mbyllur, Moska e mbështet atë si të tillë.

Më vonë, ndërkohë që Open Balkan kishte marrë fund, u shtuan zërat që denonconin projektin e tij të mbrapshtë. Në shtator 2024, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bëri një deklaratë shumë të fortë në televizionin e Prishtinës, RTK, duke pohuar se nisma e Ballkanit të hapur ishte konceptuar si një akt kundër Kosovës. “Ballkani i Hapur u krijua për ta anashkaluar Kosovën”, tha ai në ligjëratë të drejtë.

Dhe tani, kur kjo “aventurë” e rrezikshme ka përfunduar dhe ajo i vlen vetëm historianëve për të dokumentuar se kush ka pasur të drejtë dhe cili ka qenë hipokrit, është vetë presidenti serb që i ka vënë pikat mbi “i”. Ai e ka pranuar se nisma ka qenë e tij, duke i lënë Edi Ramës vetëm njollën e një mbrojtësi patetik të një ideje që në fund e detyruan ta braktiste me bisht në shalë.

“`

Scroll to Top