“`html
Pensionet private: Mbrojtje më e fortë për anëtarët dhe rregulla të reja për fondet
Anëtarët e fondeve private të pensioneve do të kenë së shpejti qasje në mbrojtje më të avancuar për kontributet e tyre. Gjithashtu, ata do të marrin më shumë informacion rreth kostove dhe performancës së investimeve, si dhe garanci më të forta në rast të ndryshimit të vendit të punës apo problemeve financiare të punëdhënësit.
Ministria e Financave ka nisur një proces konsultimi publik për ndryshimet në ligjin “Për fondet e pensionit privat”. Këto ndryshime synojnë harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor shqiptar me Direktivën europiane IORP II, e cila trajton pensionet profesionale.
Ndryshimet e propozuara forcojnë rregullat ekzistuese për:
- Qeverisjen e fondeve
- Administrimin e riskut
- Investimet
- Transparencën
- Mbrojtjen e anëtarëve
Gjithashtu, krijohet një kornizë ligjore për veprimtarinë ndërkufitare të fondeve, duke parashikuar anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Punonjësi nuk humbet të drejtat kur largohet nga puna
Një nga ndryshimet më thelbësore lidhet me fondet e pensionit të krijuara ose financuara nga punëdhënësi. Projektligji parashikon se, në rast ndërprerjeje të marrëdhënies së punës, punëmarrësi do të vazhdojë të gëzojë të drejtat e fituara deri në atë moment nga anëtarësia në fond. Këto të drejta ruhen edhe nëse anëtari transferohet ose punësohet te një punëdhënës tjetër.
Periudha maksimale që një punonjës duhet të presë për të fituar të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi nuk do të jetë më e gjatë se tre vjet. Përpara anëtarësimit, punëdhënësi ose sponsori do të duhet të informojë punëmarrësin lidhur me mënyrën se si përfundimi i marrëdhënies së punës mund të ndikojë mbi të drejtat e tij në fondin e pensionit.
Fondet ndahen nga pasuria e punëdhënësit
Projektligji vendos shprehimisht parimin e ndarjes juridike të fondeve të pensionit privat nga sponsori i tyre. Kjo masë synon të mbrojë kursimet e anëtarëve në rast falimentimi të punëdhënësit ose subjektit që ka krijuar skemën. Aktivat e fondit duhet të mbeten të rezervuara për anëtarët dhe përfituesit, duke mos u përdorur për shlyerjen e detyrimeve të sponsorit.
Më shumë informacion para se të futesh në fond
Shoqëritë administruese do të kenë detyrime më të mëdha për të informuar individët para se ata të bëhen anëtarë. Në rastet kur anëtari merr përsipër riskun e investimit ose ka mundësinë të zgjedhë alternativën e investimit, ai duhet të marrë informacion për performancën e investimeve për të paktën pesë vitet e fundit, si në terma nominalë, ashtu edhe realë.
Gjithashtu, duhet të bëhen të qarta natyra dhe niveli i tarifave, kostove dhe shpenzimeve që i ngarkohen anëtarit, si dhe mënyra e llogaritjes së tyre. Prospekti i fondit do t’u vihet në dispozicion falas anëtarëve të mundshëm para lidhjes së kontratës.
Investimet duhet të bëhen në interes të anëtarëve
Projektligji forcon parimet mbi mënyrën e investimit të kursimeve të pensioneve. Aktivat duhet të investohen në interesin më të mirë afatgjatë të anëtarëve dhe përfituesve, duke garantuar cilësinë, sigurinë, likuiditetin dhe kthimin e portofolit.
Në rast konfliktesh interesi, vendimet për investimet duhet të merren ekskluzivisht në interes të anëtarëve. Shoqëritë administruese duhet të kenë politika të posaçme për menaxhimin e konflikteve të interesit. Për herë të parë, parashikohet edhe marrja në konsideratë e ndikimit afatgjatë të investimeve mbi faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes.
Përgjegjësi më e madhe për depozitarët
Edhe institucionet që ruajnë aktivet e fondeve do të kenë përgjegjësi të zgjeruar. Depozitari do të jetë përgjegjës ndaj fondit, shoqërisë administruese dhe anëtarëve për humbjet e shkaktuara prej tij ose nga një palë e tretë, së cilës i është deleguar ruajtja e aktiveve. Ai do të mbajë përgjegjësi edhe për humbjet që rrjedhin nga pakujdesia ose nga mospërmbushja me dashje e detyrimeve ligjore.
Pas hyrjes në BE hapet tregu ndërkufitar
Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me integrimin e tregut shqiptar të pensioneve me atë europian. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, shoqëritë administruese shqiptare do të mund të administrojnë skema pensioni në shtete të tjera anëtare, ndërsa institucione pensioni të autorizuara në BE do të mund të administrojnë fonde me pjesëmarrje të mbyllur për sponsorë në Shqipëri, sipas procedurave të parashikuara në ligj.
Gjithashtu, pas anëtarësimit do të bëhet i mundur transferimi ndërkufitar i skemave dhe aktiveve të pensioneve, me kusht që të mbrohen të drejtat e anëtarëve. Për një transferim të tillë kërkohet pëlqimi paraprak i shumicës së thjeshtë të anëtarëve dhe përfituesve të fondit përkatës.
Projektligji parashikon gjithashtu që pagesat e pensionit dhe përfitimet e tjera mund t’u kryhen anëtarëve që ndodhen në një shtet tjetër të BE-së. Këto dispozita, së bashku me mundësinë që shoqëritë e sigurimit të jetës të administrojnë fonde pensioni privat, do të hyjnë në fuqi vetëm në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Tregu është në rritje, por mbulimi mbetet i ulët
Tregu shqiptar i pensioneve private ka treguar një trend rritës, por pjesëmarrja vazhdon të mbetet e kufizuar krahasuar me skemën publike. Në fund të shtatorit 2025, numri i anëtarëve arriti në 48,864, duke shënuar një rritje prej 8.8% krahasuar me fundin e vitit 2024. Në atë periudhë, individët që kontribuonin për një pension privat përbënin rreth 6.4% të numrit të kontribuuesve në skemën publike të sigurimeve shoqërore.
Në fund të vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit të AMF-së, numri i anëtarëve ishte rritur në 49,218, ose 11.2% më shumë se një vit më parë. Vlera neto e aktiveve të fondeve arriti rreth 10 miliardë lekë, duke shënuar një rritje vjetore prej 21.6%.
Në treg aktivizoheshin shtatë fonde pensioni, të administruara nga katër shoqëri administruese. Tregu karakterizohet nga një profil investimi shumë konservator. Në fund të vitit 2025, 96.02% e aktiveve të pensioneve private ishin të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare, duke kufizuar diversifikimin e portofoleve.
“`