Kafene dhe guida në zona arkeologjike, propozohen kriteret e reja për kontrata biznesi
Pranë zonave arkeologjike do të vijojë të lejohet ushtrimi i aktiviteteve tregtare, duke përfshirë shitjen e suvenireve, shërbimet e guidave turistike, kafene apo lokale ushqimore. Megjithatë, kontratat aktuale të bizneseve, pas përfundimit të vlefshmërisë së tyre, pritet të rishikohen sipas kritereve të reja të propozuara për licencim.
Ministria e Turizmit, përmes një udhëzimi të ri, propozon kritere dhe procedura të reja për ushtrimin e aktiviteteve tregtare në zonat me vlerë arkeologjike, historike dhe kulturore. Udhëzimi parashikon që kontratat ekzistuese duhet të rishikohen sipas rregullave të reja brenda datës së fundit të lidhjes së tyre. Në të kundërt, nëse nuk përshtaten, ato humbasin vlefshmërinë.
Sipas projektit të udhëzimit, në këto zona do të lejohet ushtrimi i aktiviteteve tregtare, duke përfshirë shitjen e botimeve, katalogëve, suvenireve dhe riprodhimeve të objekteve kulturore, shërbime informacioni dhe guida turistike, si dhe aktivitete të kufizuara të kafeneve dhe ushqimit të shpejtë.
Udhëzimi përcakton se subjektet që dëshirojnë të ushtrojnë aktivitet duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të pajisura me licencat përkatëse, të mos kenë probleme penale dhe të dëshmojnë kapacitete financiare e profesionale. Gjithashtu, aktiviteti i propozuar duhet të garantojë ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Për suvenierët dhe materialet promovuese, përcaktohen kritere të qarta: ato duhet të jenë replika ose produkte artizanale tradicionale, të prodhuara me materiale dhe teknika vendase, si dhe botime me ISBN që promovojnë vlerat kulturore.
Subjektet e interesuara për ushtrim aktiviteti në zonat arkeologjike, përveç dokumentacionit, fillimisht duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Turizmit. Kërkesa për aktivitet duhet të shoqërohet me dokumentacion të plotë, përfshirë plan biznesi, projekt teknik, plan mirëmbajtjeje dhe dëshmi të eksperiencave të mëparshme.
Tipologjia e aktiviteteve tregtare të lejuara përfshin:
- Shërbimi i botimeve dhe shitja e katalogëve, fletëpalosjeve, botimeve të tjera të ngjashme, incizimeve audiovizive dhe informatike, si dhe çdo material tjetër informativ.
- Shërbimi i shitjes së riprodhimeve të pasurive (replika, suvenirë).
- Shërbime pritjeje, duke përfshirë asistencën, argëtimin për fëmijët, shërbimet e informacionit, guidave dhe asistencën didaktike.
- Shërbime të kafeterisë dhe ushqimit (kafeteri, pije dhe ushqim i shpejtë).
Kriteret që duhen plotësuar për aktivitet tregtar në këto zona:
- Subjekti duhet të jetë i regjistruar si person fizik/person juridik me status aktiv, sipas dispozitave të legjislacionit shqiptar në fuqi për regjistrimin e veprimtarisë tregtare.
- Të jetë i pajisur me të gjitha lejet dhe/ose licencat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi, në varësi të llojit të aktivitetit dhe kërkesës së propozuar.
- Për personin fizik, të mos jetë në ndjekje penale ose të mos jetë dënuar për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore ose në fushën e aktivitetit ku ushtron veprimtarinë ekonomike. Për personin juridik, të merret dëshmia e penalitetit për administratorin ligjor.
- Të sigurohen kapacitete financiare dhe ekspertizë të nevojshme për zbatimin e aktivitetit tregtar të propozuar.
- Të propozohet një aktivitet tregtar që garanton ruajtjen, mbrojtjen, promovimin dhe aksesin e publikut në pasurinë kulturore.
Kriteret që duhet të përmbushë aktiviteti tregtar për shitje suvenierësh dhe botimesh:
- Të jenë replika të objekteve/vlerave përfaqësuese të trashëgimisë kulturore që ruhen dhe promovohen në pasurinë kulturore ku do të ushtrohet aktiviteti tregtar.
- Të jenë riprodhim në letër, tekstil, qeramikë, plastikë, dru etj. të imazheve të objekteve/vlerave më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore.
- Të jenë objekte funksionale me forma dhe imazhe të përshtatshme për promovimin e vlerave të pasurisë kulturore të institucionit ku do të ushtrohet aktiviteti tregtar.
- Të jenë produkte të zejtarisë tradicionale, të cilët përfaqësojnë traditat kulturore autentike në materiale, modele dhe mjeshtëri tipike të zonës ku do të ushtrohet aktiviteti tregtar, të punuara me dorë dhe me teknika tradicionale.
- Të jenë botime (libra, harta, almanakë, vjetarë, katalogë, albume, dëftues të rrugëve, broshura etj.) të pajisura me ISBN, që promovojnë vlerat kulturore të vendit tonë në përgjithësi, të pasurisë kulturore ku do të ushtrohet aktiviteti tregtar dhe të rajonit ku ndodhet pasuria kulturore në veçanti.
Dokumentacioni i kërkuar:
- Kërkesë me shkrim pranë Ministrisë së Turizmit.
- Kërkesa për aktivitet duhet të shoqërohet me dokumentacion të plotë, përfshirë: CV të subjektit tregtar ose administratorit; Ekstrakt historik të aplikuesit; Informacion mbi tipologjinë e aktivitetit tregtar që propozohet të ushtrohet.
- Vetëdeklarim që subjekti nuk është në ndjekje penale, si dhe nuk është dënuar penalisht për vepra penale në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në fushën e aktivitetit ku ushtron veprimtarinë ekonomike.
- Vërtetim që subjekti nuk është subjekt i procedurave të likuidimit ose falimentit.
- Vërtetim nga autoritetet tatimore se subjekti ka shlyer të gjitha detyrimet tatimore.
- Planvendosja e aktivitetit tregtar të propozuar.
- Plan biznesi për ushtrimin e veprimtarisë tregtare për një kohëzgjatje minimale 5-vjeçare, duke përfshirë parashikimin e vlerës së investimit, të ardhurave dhe shpenzimeve.
