Turqi: Arrestime të dhjetëra protestuesve në tubimin e 1 Majit në Stamboll
Policia turke ka arrestuar dhjetëra protestues gjatë tubimeve të organizuara në Stamboll për Ditën e 1 Majit. Dy grupe protestuesish u shënjestruan në dy lagje të ndara në pjesën evropiane të qytetit, ndërsa përpiqeshin të marshonin drejt Sheshit Taksim, një pikë qendrore e protestave në Turqi, i cili ishte i mbyllur plotësisht që nga mbrëmja e kaluar.
Shtypi lokal, duke përfshirë faqen e internetit të opozitës “Bir Gun”, raportoi të paktën 57 arrestime. Përveç barrierave metalike të ngritura për të rrethuar një zonë të madhe rreth lagjeve qendrore të Stambollit, u vendos një prani shumë e konsiderueshme policore.
Në lagjen “Mecidiyekoy”, ku u mblodhën aktivistë nga Partia e Çlirimit të Popullit (HKP, marksiste), të vendosur për të marshuar drejt Sheshit Taksim duke brohoritur “SHBA vrasëse, AKP bashkëpunëtore”, policia përdori gaz lotsjellës. Në lagjen “Beshiktash” pranë Bosforit, të rrethuar plotësisht nga forcat e sigurisë, oficerët ndërhynë sapo u lëshua një slogan nga turma.
Sindikatat dhe shoqatat kishin bërë thirrje për tubime nën sloganin “Bukë, Paqe, Liri”. Më herët gjatë javës, autoritetet turke kishin bërë dhjetëra arrestime para Ditës së 1 Majit, veçanërisht mes shtypit dhe lëvizjeve opozitare kundër presidentit, Recep Tajip Erdogan.
