Sektori bankar, mes transformimit strukturor dhe mundësive të reja
Intervistë me Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania
Sektori bankar në të ardhmen do të përballet me një kombinim të transformimit strukturor dhe mundësive të reja. Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo Bank Albania, thekson për gazetën “Monitor” se një nga prioritetet kryesore do të jetë ruajtja e një balanci të duhur mes rritjes dhe menaxhimit të riskut.
Sipas tij, konkurrenca po evoluon dhe hyrja e aktorëve të rinj në treg, përfshirë institucionet që operojnë kryesisht në mënyrë digjitale, pritet të nxisë inovacionin dhe të motivojë bankat të përmirësojnë vazhdimisht shërbimet e tyre.
Z. Giampietro shpjegon se transformimi digjital do të mbetet një temë thelbësore, por sfida e vërtetë nuk do të jetë thjesht adoptimi i teknologjisë, por integrimi i saj në mënyrë që të përmirësohet përvoja e klientit, të forcohet siguria dhe të rritet qëndrueshmëria operacionale. Ai nënvizon se roli i ekspertizës njerëzore do të bëhet edhe më i rëndësishëm. Ndërkohë që shërbimet financiare bëhen më komplekse, klientët kanë gjithnjë e më shumë nevojë për udhëzime dhe këshillim të besueshëm.
Si e vlerësoni ecurinë e aktivitetit të bankës suaj gjatë vitit të kaluar dhe cilat ishin, në këndvështrimin tuaj, zhvillimet më të rëndësishme për sektorin bankar në përgjithësi?
Viti i kaluar ka qenë pozitiv dhe konstruktiv për Intesa Sanpaolo Bank Albania. Ne kemi vazhduar të rritemi në mënyrë të balancuar dhe të qëndrueshme, duke forcuar pozicionin tonë në treg, ndërkohë që kemi ruajtur fokus të fortë në cilësinë e shërbimit, inovacionin dhe menaxhimin e kujdesshëm të riskut. Përtej rezultateve financiare, ajo që konsideroj veçanërisht të rëndësishme është progresi që kemi bërë në evoluimin e modelit tonë të biznesit. Si pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo dhe Divizionit Ndërkombëtar të Bankave, të drejtuar nga Paola Papanicolaou, ne po fokusohemi gjithnjë e më shumë në një qasje bankare të orientuar drejt këshillimit, duke vendosur udhëzimin e klientit dhe planifikimin financiar afatgjatë në qendër të marrëdhënieve tona.
Kjo do të thotë të mbështesim individët në menaxhimin dhe rritjen e pasurisë së tyre dhe të ndihmojmë bizneset të zhvillohen, investojnë dhe zgjerohen me struktura financiare dhe këshillim strategjik të përshtatshëm.
Shqipëria konsiderohet një treg i rëndësishëm dhe dinamik nga Grupi Intesa Sanpaolo, me potencial të lartë rritjeje, kërkesë të shtuar për shërbime financiare të sofistikuara dhe një ekosistem sipërmarrës aktiv. Ambicia jonë është të vazhdojmë të luajmë një rol domethënës në zhvillimin ekonomik të vendit duke ofruar kapital, ekspertizë dhe kapacitete këshilluese.
Në një perspektivë më të gjerë, sektori bankar vitin e kaluar është karakterizuar nga rritja e kreditimit, stabiliteti financiar i fortë dhe transformimi i vazhdueshëm i shërbimeve përmes digjitalizimit. Në të njëjtën kohë, sektori po kalon gradualisht nga një model i fokusuar te produktet drejt një modeli të bazuar në marrëdhënie dhe këshillim, ku bankat veprojnë si partnerë të besuar për klientët. Në përgjithësi, sektori bankar shqiptar ka treguar qëndrueshmëri, aftësi përshtatëse dhe kapacitet të fortë për të mbështetur ekonominë reale. Ndërkohë që ka një thellim të digjitalizimit të produkteve dhe shërbimeve bankare, paralelisht, në dy vitet e fundit, po shohim edhe një rritje të numrit të degëve dhe të punonjësve të sektorit bankar.
Kur prisni të arrijmë në një fazë të reduktimit të pranisë fizike të bankave dhe zhvendosje në shkallë më të gjerë drejt bankingut digjital?
Unë nuk e shoh këtë zhvillim si kontradiktë, por si pjesë të një transformimi natyror të mënyrës se si ofrohen shërbimet bankare. Bankingut digjital po rritet me ritme të shpejta dhe klientët kërkojnë gjithnjë e më shumë shërbime të shpejta, të lehta dhe të aksesueshme përmes platformave online. Transaksionet rutinë po zhvendosen qartësisht drejt kanaleve digjitale dhe ky trend do të vazhdojë të përshpejtohet.
Megjithatë, bankingut mbetet një biznes i bazuar në marrëdhënie, veçanërisht për vendime të rëndësishme financiare si investimet, menaxhimi i pasurisë, kreditë hipotekore apo financimi i bizneseve. Shumë klientë vlerësojnë maksimalisht kontaktin e drejtpërdrejtë dhe këshillimin profesional. Për këtë arsye, e ardhmja e bankingut do të jetë hibrid për një periudhë të gjatë.
Degët do të transformohen gradualisht nga qendra transaksionesh në qendra këshillimi dhe marrëdhëniesh, ku klientët do të marrin udhëzime, mbështetje për planifikimin financiar dhe ekspertizë të specializuar. Kjo është në linjë me strategjinë e Divizionit Ndërkombëtar të Bankave të Grupit Intesa Sanpaolo, e përmbledhur në konceptin “Mbështetu te këshilla e duhur”. Teknologjia do të menaxhojë shërbimet operacionale, ndërsa ekspertiza njerëzore do të fokusohet në këshillim financiar, i cili ndihmon vendimmarrjen financiare të klientëve.
Pres që prania fizike e degëve të evoluojë në mënyrë progresive, në vend që të zhduket. Ndryshimi kryesor nuk do të jetë numri i degëve, por roli dhe vlera e tyre në marrëdhënien me klientin.
Në vijim të një cikli konsolidimi që zgjati rreth një dekadë, në vitin 2026, numri i bankave tregtare aktive në Shqipëri pritet të rritet për herë të parë pas 20 vjetësh. Besoni se ndodhemi në fillimet e një cikli të ri zgjerimi të bankave në treg, apo në afat të gjatë, sistemi bankar do t’i kthehet përqendrimit dhe konsolidimit?
Është ende herët për të thënë se kemi hyrë në një cikël të ri zgjerimi. Ajo që po shohim mund të jetë fillimi i një faze më të diversifikuar dhe konkurruese në tregun shqiptar të bankave. Hyrja e aktorëve të rinj, veçanërisht institucioneve financiare digjitale, pasqyron mundësitë që ekzistojnë në treg për inovacion dhe modele të reja shërbimesh.
Megjithatë, bankingut sot është një industri komplekse që kërkon investime të mëdha në teknologji, struktura të forta qeverisjeje, menaxhim të avancuar të rrezikut, si dhe aftësinë për të përmbushur pritshmëritë rregullatore, të cilat janë gjithmonë në zhvillim. Këta faktorë favorizojnë institucionet me madhësi, vizion afatgjatë dhe bazë të fortë financiare.
Për një bankë si Intesa Sanpaolo Bank Albania, të qenët pjesë e një prej grupeve kryesore bankare në Europë na lejon të kombinojmë njohuritë e thella lokale me ekspertizën ndërkombëtare, fuqinë e kapitalit dhe aftësitë këshilluese. Ky kombinim na mundëson të mbështesim klientët jo vetëm në nivel lokal, por edhe në ambiciet e tyre ndërkombëtare.
Ndërsa mund të shohim diversitet dhe inovacion më të madh në afat të shkurtër dhe të mesëm, besoj se në planin afatgjatë, tregu do të vazhdojë të favorizojë institucionet e afta për të ofruar vlerë të qëndrueshme, këshilla të besueshme dhe partneritete afatgjata me klientët e tyre.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi për herë të parë disa kufizime direkte në huadhënien për blerjen e pasurive të paluajtshme rezidenciale, por sërish kredia në këtë segment vazhdoi rritjen me ritme të larta. Si i vlerësoni rreziqet e lidhura me ekspozimin në tregun e pasurive të paluajtshme dhe si do t’i përballonte sektori efektet e një krize të mundshme në këtë treg?
Masat e Bankës së Shqipërisë duhen parë si të kujdesshme dhe largpamëse, që reflektojnë angazhimin e rregullatorit për të ruajtur stabilitetin financiar, duke mbështetur njëkohësisht rritjen e qëndrueshme të kredisë. Pasuritë e paluajtshme luajnë rol të rëndësishëm në ekonomi dhe kjo sjell natyrshëm kërkesë të shtuar për financimin e pronave të paluajtshme.
Megjithatë, rritja e qëndrueshme në këtë segment kërkon monitorim të kujdesshëm dhe praktika të përgjegjshme kreditimi. Nga perspektiva bankare, faktorët kryesorë janë standardet e shëndosha të kreditimit, vlerësimet realiste të ripagimit të financimeve, vlerësimi i kujdesshëm i kolateralit dhe diversifikimi i duhur i portofolit. Kur këto parime respektohen, ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme mund të mbetet i qëndrueshëm dhe i menaxhueshëm.
Është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se sektori bankar shqiptar sot është dukshëm më i fortë se sa ishte në të kaluarën. Bankat operojnë me rezerva të forta kapitali, korniza të përmirësuara të menaxhimit të riskut dhe një mjedis mbikëqyrës më të përparuar. Një krizë e rëndë në tregun e pasurive të paluajtshme do të krijonte natyrshëm sfida përmes rënies së vlerave të kolateralit dhe kapacitetit më të dobët të shlyerjes. Megjithatë, sektori sot është më i pajisur për të përthithur goditjet e mundshme dhe për të menaxhuar rrezikun në një mënyrë të strukturuar dhe të disiplinuar.
Cilat mendoni se do të jenë çështjet dhe sfidat kryesore për sektorin bankar për vitin 2026?
Duke parë përpara, besoj se sektori bankar do të përballet me një kombinim të transformimit strukturor dhe mundësive të reja. Një nga përparësitë do të jetë ruajtja e balancës së duhur midis rritjes dhe menaxhimit të riskut. Kërkesa për kredi pritet të mbetet e fortë, por bankat duhet të sigurojnë që zgjerimi të vazhdojë të mbështetet nga menaxhimi i shëndoshë i rrezikut dhe praktika financiare të qëndrueshme.
Konkurrenca gjithashtu po evoluon. Hyrja e mundshme e aktorëve të rinj në treg, përfshirë institucionet që operojnë kryesisht në mënyrë digjitale, ka gjasa të nxisë inovacionin dhe të nxisë bankat të përmirësojnë vazhdimisht shërbimet e tyre.
Transformimi digjital do të mbetet një temë e rëndësishme, por sfida reale nuk do të jetë thjesht adoptimi i teknologjisë. Objektivi i vërtetë është integrimi i saj në një mënyrë që përmirëson përvojën e klientit, forcon sigurinë dhe rrit qëndrueshmërinë operacionale.
Në të njëjtën kohë, pritshmëritë rregullatore vazhdojnë të rriten, duke kërkuar që bankat të ruajnë standarde të larta të qeverisjes, transparencës dhe gatishmërisë operacionale.
Së fundmi, roli i ekspertizës njerëzore do të bëhet edhe më i rëndësishëm. Ndërsa shërbimet financiare bëhen më komplekse, klientët kanë gjithnjë e më shumë nevojë për udhëzim dhe këshillim të besueshëm. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne në Intesa Sanpaolo po fokusohemi në një model bankar të ndërtuar mbi përsosmërinë në këshillim, kapacitetet në menaxhimin e pasurisë dhe mbështetje të fortë për klientët e biznesit.
Në të ardhmen, bankat më të suksesshme do të jenë ato që ndërthurin teknologjinë e avancuar me ekspertizë të thellë financiare dhe marrëdhënie afatgjata me klientët.
