“`html
Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës për lirim nga qelia
Apeli i Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për lirimin nga qelia.
Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arresti me burg” në “arrest shtëpie”, duke ofruar një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh. Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar nga gjykata.
Njoftimi zyrtar i GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, më datë 04.05.2026, ka shpallur vendimin për çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026, mbi ankimin e ankuesit I.M.
Ankimi ishte paraqitur kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objektin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg me një masë tjetër, siç ishin arresti në shtëpi, garancia pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit.
Gjykata vendosi:
- Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit të tij, avokat Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Ky vendim t’i njoftohet palëve.
- Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Tiranë, më 04.05.2026.
“`
