Rumani: Socialistët bashkëpunojnë me të djathtën ekstreme dhe rrëzojnë qeverinë
George Simion, i lidhur me lëvizjen MAGA, konsiderohet gjerësisht si ideatori kryesor pas rrëzimit të Kryeministrit Ilie Bolojan.
Parlamenti rumun rrëzoi sot Kryeministrin e qendrës së djathtë, Ilie Bolojan, duke miratuar një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së tij. Vetë Bolojan e cilësoi mocionin si “të rremë, cinik dhe artificial”, duke theksuar se një vend në krizë duhet ta forcojë qeverinë, jo ta zëvendësojë atë.
Rolin vendimtar në rrëzimin e tij e pati Partia Socialdemokrate (PSD), e cila muajin e kaluar u tërhoq nga koalicioni qeverisës për shkak të masave të ashpra shtrënguese. Më pas, ajo bashkëpunoi me partinë e ekstremit të djathtë, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, për të larguar Bolojanin nga pushteti. Kjo lëvizje shkaktoi shqetësim edhe në nivel europian, pasi PSD-ja është pjesë e grupit të socialistëve në Parlamentin Europian, i cili prej vitesh ka kritikuar të djathtën për aleanca të ngjashme me ekstremistët.
Bolojan dhe Partia e tij Liberale qeverisnin që nga viti 2025, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Marcel Ciolacu. Rrëzimi i tij vjen më pak se një vit pas zgjedhjeve presidenciale, ku kryebashkiaku i moderuar i Bukureshtit, Nicușor Dan, mposhti liderin e ekstremit të djathtë, George Simion. Simion shihet gjerësisht si njeriu që qëndron pas kësaj lëvizjeje politike.
Partia e tij po fiton terren në sondazhe dhe paqëndrueshmëria e re mund t’i japë atij edhe më shumë avantazh, në një kohë kur ekonomia rumune mbetet e brishtë. Rumania duhet të përmbushë reforma të rëndësishme deri në gusht për të zhbllokuar rreth 11 miliardë euro fonde nga BE. Nëse nuk rregullon financat publike, vendi rrezikon ulje të vlerësimit kreditor.
Simion kërkoi zgjedhje të parakohshme, por një skenar i tillë konsiderohet pak i mundshëm. Tani pritet që Presidenti Dan të nisë konsultimet me partitë për formimin e një qeverie të re. Një mundësi është një koalicion i ri mes liberalëve dhe socialistëve, i drejtuar nga një teknokrat. Një tjetër mundësi është që Bolojan të përpiqet të drejtojë një qeveri minoritare.
Bolojan është kryeministri i shtatë që rrëzohet nga një mocion mosbesimi në Rumani që nga rënia e komunizmit në vitin 1989. Presidenti Dan u përpoq të qetësonte situatën, duke deklaruar se, pavarësisht krizës politike, Rumania do të vazhdojë kursin e saj perëndimor.
Përgatiti nga Politico në shqip, ©LAPSI.AL
