Shqipëria në ngecje drejt BE: Kapitujt e negociatave mund të mbyllen vonë

“`html

Telefonata në Bruksel/Kapitujt e negociatave mund të mos mbyllen deri në fund të 2026

Konferenca ndërqeveritare mes Tiranës dhe Komisionit Evropian, e cila ishte parashikuar të mbahej në muajin prill për të nisur mbylljen e kapitujve të parë, u shty nga presidenca qipriote për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së për miratimin e raportit IBAR.

Komisioni Evropian dhe vendet anëtare nuk po arrijnë të shkojnë drejt një kompromisi të domosdoshëm për të hapur rrugë mbylljes së kapitujve të negociatave, qëllimi i të cilëve është anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Duke qenë se disa vende anëtare të 27-shes nuk bien dakord të miratojnë raportin IBAR, i cili përfshin respektimin e standardeve për funksionimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e gjyqësorit, qeveria Rama po përpiqet të lëvizë të gjitha mundësitë për të zhbllokuar situatën. Kjo situatë, e cila nuk pranohet zyrtarisht në Tiranë, shihet si një ngecje ose ngrirje e procesit në disa fusha, por kryesisht për pengim të punës së drejtësisë në rastin Balluku.

Në këtë kuadër, kryenegociatorja shqiptare, Majlinda Dhuka, ka zhvilluar një telefonatë me përfaqësuesen e presidencës qipriote, Marilena Raouna, për të diskutuar hapat e mëtejshëm, pasi disa shtete anëtare të BE-së po mbajnë pezull miratimin e raportit IBAR.

Raporti për Shqipërinë kishte identifikuar rreth 92 piketa ose “boshllëqe” që duhen plotësuar si detyra për të avancuar më tej në procesin e integrimit evropian.

Shqipëria duket se është distancuar edhe nga Mali i Zi në rrugën drejt BE-së. Podgorica mori gjatë muajit mars miratimin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hartimin e traktatit të anëtarësimit, çka shënon hyrjen në një fazë të pakthyeshme të procesit të zgjerimit.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi përparimin e Malit të Zi si “një hap të madh në rrugën drejt anëtarësimit”, ndërsa Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se “për herë të parë që nga viti 2013, Bashkimi Europian nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës”.

Megjithatë, Shqipëria duket se po i largohet objektivit të 2030-ës, të shpallur nga kryeministri Rama gjatë fushatës së fundit elektorale.

Gjatë muajit prill, Lapsi.al ka raportuar për 9 vende anëtare të Bashkimit Europian që kanë ngritur shqetësime lidhur me disa çështje, duke vënë në pikëpyetje avancimin e vendit tonë me negociatat.

Në takimin e 1 prillit të grupit COELA, përfaqësuesit e Gjermanisë, Luksemburgut, Holandës, Suedisë, Austrisë, Finlandës, Polonisë, Greqisë dhe Bullgarisë shprehën rezerva për reformat në Shqipëri. Arsyet e dhëna nga këto vende ishin të ndryshme:

  • Gjermania dhe Holanda ishin të shqetësuara për efektet e rastit Balluku.
  • Polonia ishte kritike për klimën e biznesit.
  • Greqia ishte kritike për të drejtat e pronësisë dhe pakicat kombëtare.
  • Bullgaria ishte kritike për pakicat.
  • Austria kishte shqetësime për çështje konkrete si IPARD-i.

Ndonëse gjatë këtij muaji disa vende kanë bërë hapa pozitivë, ngecja e procesit mbetet e njëjtë. Për këtë arsye, Konferenca ndërqeveritare mes Tiranës dhe Komisionit Evropian, e parashikuar për prill për të nisur mbylljen e kapitujve të parë, u shty nga presidenca qipriote për shkak të mungesës së konsensusit mes vendeve anëtare të BE-së për miratimin e raportit IBAR.

Ky fakt, i konsideruar si vendimtar, ishte temë e bisedës telefonike mes kryenegociatores Dhuka dhe përfaqësueses së presidencës qipriote, Marilena Raouna, e cila, përveç pozicionit që mban përkohësisht, është edhe njohëse e mirë e korridoreve të Brukselit, ku ka punuar për shumë vite dhe ka qenë bashkë presidente e grupit COELA për zgjerimin e unionit.

Burime diplomatike në Bruksel thanë për Lapsi.al se ka mundësi reale që procesi i mosmiratimit të raportit të zgjatet deri në fund të vitit 2026, pavarësisht se ky nuk është skenari i dëshiruar nga Shqipëria.

Sipas burimeve diplomatike, qëndrimi i qeverisë Rama ndaj hetimit të SPAK-ut për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku është parë nga disa vende kryesore anëtare të BE-së si një sinjal negativ për pavarësinë e drejtësisë, duke sjellë një pengesë serioze në bisedimet brenda grupit COELA për t’i dhënë dritën jeshile raportit të ndërmjetëm.

E njëjta linjë politike u shfaq edhe në Raportin e fundit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku, megjithëse rasti Balluku nuk përmendej nominalisht, kritikoheshin veprimet për pengimin e drejtësisë dhe përfshiheshin fraza si: “Shqipëria duhet të konsolidojë historikun e saj të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë” ose “gjyqësori vazhdon të përballet me presione dhe kërcënime politike që rrezikojnë të dëmtojnë pavarësinë gjyqësore”.

Aktualisht, po bëhet një përpjekje diplomatike intensive që IBAR-i të miratohet brenda muajit maj ose qershor, për të shmangur shtyrjen e vendimmarrjes deri në fund të vitit.

Megjithatë, pavarësisht nga këto sinjale nga Brukseli, Kryeministri Rama ka hedhur gjithmonë poshtë bllokimin e rrugës së anëtarësimit. Qëndrimi i tij ka qenë se “së shpejti, siç kemi pasur në procesin e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë”.

Edhe shefi i diplomacisë, Ferid Hoxha, ka mohuar publikisht bllokimin apo ngadalësimin e procesit. Ai ka paraqitur mosmiratimin e raportit IBAR si një dialog me pyetje-përgjigje mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare, duke sfiduar: “Më gjeni një nga ato vende që thoni se na kanë bllokuar, shkoni dhe pyetini dhe merrni përgjigje nëse e kanë bërë apo jo”.

Në fakt, ashtu sikurse pyet në mënyrë manipulative shefi i diplomacisë, asnjë vend nuk ka thënë publikisht se i ka ndërprerë, ka ngrirë apo bllokuar negociatat me Shqipërinë. Duke përdorur si kërkesë më të fortë mospengimin e SPAK-ut për Ballukun, por edhe shqetësime të tjera si e drejta e pronës apo klima e biznesit, këto vende thjesht nuk kanë qenë në një mendje me qeverinë e BE-së (Komisionin) për t’i mundësuar Shqipërisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave.

Askush nga vendet që nuk kanë pranuar të miratojnë raportin IBAR nuk do të bëjë një deklaratë të tillë. Por sjellja e tyre rrezikon të mbetet e pandryshueshme deri në fund të këtij viti. Ndonëse një mbledhje tjetër është parashikuar në 12 maj, ato rrezikojnë të mos e miratojnë raportin e Komisionit Evropian, për sa kohë Balluku i shmanget drejtësisë, duke lënë kështu të pambyllura të gjithë kapitujt e negociatave.

“`

Scroll to Top