Gratë udhëheqin aplikimet për vende pune në administratë 2025

Gratë dominojnë aplikimet për vende pune në administratë, duke zënë 62.7% të totalit

Gratë po udhëheqin garën për vendet e punës në administratën publike, duke përbërë pothuajse dy të tretat e aplikimeve gjatë vitit 2025. Kjo konfirmohet nga të dhënat më të fundit të publikuara në raportin e Departamentit të Administratës Publike (DAP).

Nga gjithsej 4,602 aplikime unike të regjistruara, 62.7% janë dorëzuar nga femra, ndërsa vetëm 37.3% nga meshkuj.

Raporti i DAP-it ofron gjithashtu një analizë më të thellë të profilimit të aplikantëve:

  • Mosha mesatare e aplikantëve është 33 vjeç.
  • Për ata që synojnë të hyjnë në shërbimin civil, mosha mesatare bie në 32 vjeç.
  • Ndërkohë, aplikantët për ngritje në detyrë kanë një moshë mesatare prej 38 vjeç.

Gjatë vitit 2025, u emëruan 654 nëpunës të rinj civilë. Rreth 57.3% e këtyre emërimeve erdhën nga rekrutime të reja, duke përfshirë pranime në kategorinë ekzekutive dhe emërime nga jashtë shërbimit civil. Brenda këtyre emërimeve të reja, 51.2% i përkasin kategorisë ekzekutive, ndërsa 6.1% kategorive të ulëta dhe të mesme drejtuese. Megjithatë, hyrjet nga jashtë për nivelet drejtuese mbeten relativisht të kufizuara, duke zënë vetëm 18.5% të emërimeve në këto kategori.

Sistemi i shërbimit civil vazhdon të mbështetet kryesisht në zhvillimin e karrierës së brendshme. Rreth 59% e lëvizjeve të personelit ndodhin brenda të njëjtit institucion, duke treguar një tendencë të fortë për promovim të brendshëm. Lëvizjet nga institucionet e pavarura drejt administratës qendrore mbeten minimale, duke zënë vetëm 4%.

Të gjitha pozicionet vakante të shpallura gjatë vitit, gjithsej 934, iu ofruan fillimisht nëpunësve ekzistues përmes procedurës së lëvizjes paralele. Kur këto pozicione nuk plotësoheshin, ato hapeshin për ngritje në detyrë, duke krijuar një rrugë të dytë për avancim. Në vitin 2025, 277 pozicione u hapën për këtë proces, duke përfshirë 198 vende në kategorinë e ulët drejtuese dhe 79 në atë të mesme. Në përfundim të procedurave, vetëm 13.6% e vendeve vakante u plotësuan përmes lëvizjes paralele, ndërsa 17.9% u plotësuan përmes ngritjes në detyrë.

/N.Maho

Scroll to Top