Shqipëria, rrezik emigrimi për moshën riprodhuese

Shqipëria ndër më të rrezikuarat në Europë nga emigracioni i moshave riprodhuese, pasojat

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) vlerëson se Shqipëria është ndër vendet europiane ku emigracioni mund të ndikojë më tej në rënien e popullsisë, për shkak të largimit të personave në moshë riprodhuese. Ky konstatim bëhet në raportin “World Migration Report 2026”.

Raporti thekson se Europa është kontinenti me numrin më të madh të vendeve që kanë shënuar rënie të ndjeshme të popullsisë gjatë periudhës 2005-2024. Sipas IOM, në disa vende të kontinentit, rënia e popullsisë lidhet kryesisht me normat e ulëta të lindshmërisë, ndërsa emigracioni ka kontribuar gjithashtu në këtë prirje.

IOM përmend Shqipërinë, krahas Lituanisë, Moldavisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si vende ku normat e fertilitetit janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit të popullsisë. Raporti shpjegon se në këto vende, emigracioni i personave në moshë riprodhuese mund të kontribuojë në një rënie të mëtejshme të popullsisë, për shkak të numrit të lindjeve të humbura pas largimit jashtë vendit.

Raporti vëren gjithashtu se gjatë tre dekadave të ardhshme, disa vende europiane, si Moldavia, Bosnjë-Hercegovina dhe Lituania, pritet të humbasin 20% ose më shumë të popullsisë së tyre. Për shumë vende europiane, imigracioni pritet të mbetet një faktor kyç për rritjen e popullsisë, duke zbutur efektet e plakjes dhe të lindshmërisë së ulët.

Sipas raportit, në vitin 2024 kishte rreth 304 milionë migrantë ndërkombëtarë në botë, ose 3.7% e popullsisë globale. Pavarësisht rritjes së numrit absolut të migrantëve, IOM thekson se shumica e njerëzve vijojnë të jetojnë në vendin ku kanë lindur.

Shqiptarët po bëhen europianë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç

Të dhëna të mëparshme të Eurostat tregojnë se emigrantët nga Shqipëria po bëhen qytetarë të vendeve të BE-së me të drejta të plota. Në vitin 2024, rreth 48.2 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian, sipas të dhënave të Eurostat. Që nga viti 2010, rreth 632 mijë shqiptarë kanë marrë pasaportë në një nga vendet e BE-së, ndërsa vetëm dekadën e fundit janë dhënë 522 mijë shtetësi.

Niveli më i lartë i dhënies së shtetësive ishte në vitet 2015 dhe 2016, me rreth 60-67 mijë në vit. Shifra prej 522 mijë shqiptarësh që kanë marrë një shtetësi të BE-së në dekadën e fundit përkon, pak a shumë, edhe me tkurrjen e popullsisë në vend. Gjatë periudhës midis dy çensuseve, 2011-2023, popullsia e Shqipërisë u ul me rreth 420 mijë persona, duke u ndikuar në pjesën më të madhe nga emigracioni, por edhe nga rënia e shtesës natyrore të popullsisë, si rrjedhojë e lindjeve më të pakta.

Po sipas Eurostat, në treguesin e numrit të emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së, mbizotërojnë të rinjtë. Vetëm në vitin 2024 kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian rreth 44 mijë shqiptarë. Në total, 62% e personave që u larguan si emigrantë në vitin 2024 ishin nën 35 vjeç. Një pjesë e rëndësishme, vitale dhe me përvojë në tregun e punës, gjithashtu po preferon të largohet, me grupmoshën 35-49 vjeç që përbënte 20% të të ikurve.

Të dhënat historike të Eurostat tregojnë një ulje të moshës mesatare të emigracionit. Për shembull, në vitin 2019, grupmosha kryesore që emigroi ishte ajo midis 30-34 vjeç, duke përbërë 15.6% të totalit.

Emigracioni ka dhënë tashmë efektin e tij në rënien e lindjeve. Ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, numri i fëmijëve të lindur në vendin tonë ra me 35%, duke reflektuar jo vetëm dëshirën e njerëzve për të pasur më pak fëmijë, por edhe një tkurrje të “motorit” riprodhues të vendit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referojnë se ndërmjet viteve 2015 dhe 2025, numri i grave në kulmin e riprodhimit (20-34 vjeç) ra me 32%. Qarqe të tëra kanë humbur mbi gjysmën e grave në moshën e lindjes në dekadën e fundit. Popullsia e re në moshë riprodhimi u tkurr dy herë më shpejt se popullsia e përgjithshme, duke garantuar përkeqësim të fortë të lindjeve në vijim.

Vitin e kaluar, lindën 21,425 bebe në të gjithë vendin, ose 8% më pak se vitin paraardhës. Ritmi i rënies është thelluar pas pandemisë me rreth 26% gjatë periudhës 2021–2025. Në fillim të viteve ’90, lindjet ishin mbi 70 mijë, ose mbi tre herë më shumë.

Scroll to Top