Aksident tragjik Durrës: Vdesin 2 fëmijë, protestë e heshtur

Aksident tragjik në Durrës, humbin jetën dy fëmijë; të afërm dhe banorë protestojnë në heshtje para Bashkisë: Merrni masa!

Një grup të afërmish dhe banorë të zonës ku ndodhi aksidenti tragjik janë mbledhur mbrëmjen e sotme para godinës së Bashkisë në një protestë të heshtur. Pjesëmarrësit, kryesisht të rinj të veshur me të zeza, kanë ndezur qirinj në shkallët e institucionit në shenjë homazhi për jetët e humbura.

Tubimi u zhvillua pa deklarata për median, duke përdorur heshtjen si formë revolte edhe ndaj pushtetit vendor për mungesën e sigurisë në zonat e banuara. Për disa minuta u bllokua edhe qarkullimi në rrugën në qendër të qytetit.

Kjo protestë e heshtur pason një tjetër akt simbolik të kryer gjatë paradites, ku pranë Drejtorisë së Policisë Durrës u vendos një kurorë me lule me mesazhin “Merrni masa”.

Në heshtje, të afërm dhe banorë, të tronditur nga ngjarja e rëndë ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër, kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor dhe policisë për të rritur sigurinë në komunitetin e tyre dhe për të siguruar kushtet e nevojshme infrastrukturore në lagje, për të parandaluar në kohë incidentet rrugore.

Një tjetër marshim i ngjashëm, por më masiv, është lajmëruar se do të mbahet edhe pasditen e nesërme.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur Nikoll Radaçi, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, mori përpara tre fëmijë që po luanin në trotuar. Goditja rezultoi fatale për Kles Nikollin (9 vjeç) dhe Enea Muçajn (12 vjeç), të cilët humbën jetën në vendngjarje. I treti fëmijë, Arbjon Meslani (8 vjeç), ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mjeti u përplas edhe me një makinë tjetër të parkuar përpara se të ndalonte.

Scroll to Top