Shqiptari i akuzuar për drogë në Venedik, kapet në Tiranë

Shqiptari i akuzuar për trafik droge në Venedik kapet në Tiranë pas katër vitesh arratije në Dubai

Një 45-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Tiranë gjatë operacionit të koduar “Të kërkuarit”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Interpolin.

I akuzuar kryesisht për mbushjen e qytetit të Venedikut me drogë dhe drejtimin e rrjetit të trafikut për vite me radhë, 45-vjeçari është lokalizuar dhe arrestuar pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Dubai, ku ishte fshehur për katër vite.

Lëvizjet e anëtarëve të familjes së tij kanë shërbyer si element kyç për zbulimin e vendndodhjes së tij. Ndërkohë, po kryhen veprimet operacionale dhe proceduriale për ekstradimin e tij, në varësi të dosjeve penale që ka.

Mediat italiane raportojnë se emri i tij, i cili nuk bëhet publik, figuronte prej katër vitesh në listat ndërkombëtare të personave të kërkuar, por forcat e rendit arritën t’i jepnin fund statusit të arratisurit ditët e fundit.

Hetimi që çoi në kapjen e tij u krye nga një grup pune i përbërë nga hetues nga Skuadra Fluturuese e Venedikut dhe Shërbimi Qendror i Operacioneve (SCO), në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik të Venedikut. Hetuesit monitoruan lëvizjet e familjarëve të të kërkuarit, duke zbuluar se ai jetonte në Dubai, por ishte kthyer së fundmi në Shqipëri, çka çoi në operacionin e arrestimit.

Shqiptari, i cili në kohën e veprimtarisë kriminale jetonte në Mestre, është dënuar përfundimisht për konspiracion për trafikim dhe shpërndarje droge. Sipas informacioneve, midis viteve 2019 dhe 2021, ai ka qenë një figurë kyçe në organizatën që furnizonte me kokainë qendrat e trafikut të drogës në Venedik. Ai merrte vendime të rëndësishme, menaxhonte drejtpërdrejt kanalet e furnizimit me drogë dhe organizonte shpërndarjen e saj në zonën e lagunës.

I arratisur që nga viti 2022, 45-vjeçari ishte subjekt i një “njoftimi të kuq” të lëshuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion. Arrestimi i tij bëhet pjesë e projektit “Kërkohet”, i cili koordinohet nga SCO për kërkimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim në nivel të lartë, si brenda ashtu edhe jashtë Italisë.

Scroll to Top