“`html
Socialistët Nderojnë Servet Pëllumbin, Rama: Profesori Përfaqësonte Gjithçka që Unë Nuk Simpatizoja, por Më Dha Mësimin më të Çmuar
Eksponentë të njohur të Partisë Socialiste kanë bërë homazhe sot në nderim të ndarjes nga jeta të ish-kryeparlamentarit, Servet Pëllumbi. Në homazhe nuk munguan as figura nga partitë e djathta, të cilët kanë vendosur buqeta me lule pranë arkëmortit të “profesorit të socialistëve”. Nga Partia Demokratike, në mesin e të pranishmëve spikatën Agron Gjekmarkaj, Jozefina Topalli, Fatmir Mediu, Agron Duka, e të tjerë.
Ish-kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e pranishme në homazhet e zhvilluara në Teatrin e Operas dhe Baletit, u shpreh: “Servet Pëllumbi për PS-në ishte një politikan që u doli për zot në një kohë të vështirë. Tregoi mençuri dhe krijoi një ekuilibër në Kuvend. Ishte një ikonë, një burrë i urtë, i paharruar qoftë. Do ta kujtojmë gjithmonë.”
Socialisti Erion Braçe, i vetëshpallur kandidat për Bashkinë e Tiranës, ndau detajet dhe mësimet që ka marrë nga Servet Pëllumbi: “I ri isha kur drejtonte profesor Servet Pëllumbi. Shkrova faleminderit pafund që mua dhe të tjerë si unë na priti, na mësoi, na edukoi dhe na rriti, por na bindi që jo vetëm të qëndrojmë këtu, të mos dorëzohemi asnjëherë për ato që janë bindje, të drejta, ide të qarta dhe natyrisht, shërbimi publik ndaj qytetarëve. Po ikin shumë, nuk është e lehtë, është e vështirë sepse duket sikur humb një pjesë tjetër. 35 vite nuk janë pak, janë një jetë e ndërtuar me këta njerëz që kohë pas kohe po ndahen me ne. Është rrugëtimi i fundit sot i profesor Servet Pëllumbit. Jo më kot fotoja që qarkullonte dje ishte nga ky shesh dhe e meritonte të përcillej nga ky shesh.”
Ish-ministri i Financave të PS-së, Arben Malaj, pas homazheve, deklaroi se Servet Pëllumbi ishte një model që inspironte të rinjtë dhe zbusnin krizat: “Profesor Serveti lë një trashëgimi të pasur, e para nga pikëpamja njerëzore që ishte një lider politik me integritet të plotë, e dyta për thellësinë e mendimit për të majtën progresiste. Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë. Gjithnjë e më tepër na duhen modele që inspirojnë të rinjtë, zbusin krizat edhe për kompromise!”
Musa Ulqini, i pranishëm në ceremoni, u shpreh se Servet Pëllumbi ishte shembull i Parlamentit: “Ishte shembulli i parlamentarit. Në kujtesën time, në vitet e gjata si deputet, do të mbetet një nga kryetarët më të mençur, më seriozë dhe në fund të jetës së tij ai la një gjurmë sepse publikoi gati 20 vepra duke mbetur një nga njerëzit më të mençur, një profesor i vërtetë.”
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në homazhet në nder të Servet Pëllumbit, duke theksuar kontributin e tij: “Për së pari, dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet e mia gjithë familjes dhe të afërmve të profesorit dhe nga ana tjetër, të falënderoj Namikun që ndau zemërgjerësisht këtë përgjegjësi për të folur për profesorin, gjë që e prita me shumë lehtësim sepse isha në pamundësinë e plotë për të përgatitur një fjalë, siç do duhej të përgatitej një student përpara profesorit. Po ndërkohë edhe për faktin se unë profesorin e kam njohur pak dhe e kam njohur përgjithësisht nga larg. Për hir të vërtetës dua të kujtoj këtu se marrëdhënia ime me të është një marrëdhënie tipike e një antipatie reciproke në distancë dhe pastaj e një simpatie reciproke në afërsi. Për vite, qëkurse e kam parë të shfaqet në sytë e mi, profesori përfaqësonte gjithçka që unë nuk simpatizoja; konservator, marksist-leninist, sovjetik, e të gjitha ato që e shoqëronin figurën e tij kur vinte fjala për sulmet dhe për etiketimet që i bëheshin. Dhe ka qenë një nga mësimet më të çmuara të gjithë këtij rrugëtimi tim përballja me realitetin e njeriut përtej etiketimeve dhe kornizimit të tij në sferën publike. Dhe për surprizën time, kam njohur një njeri shumë progresist, një njeri shumë dashamirës ndaj kujtdo që përpiqej të bënte diçka ndryshe dhe një njeri solidar me mua në momente të vështira, i cili befasisht shfaqej në ekranin e celularit tim në mënyrë të papritur duke më çuar fjalë inkurajuese dhe duke më ndihmuar të shoh se përtej një momenti të vështirë dhe përtej atyre që dukeshin, kishte një kategori njerëzish, të cilët e ndiqnin dhe e vlerësonin një situatë të caktuar me qetësi edhe me vërtetësi.
Kur më shkruajti Beni që profesori kishte ndërruar jetë, më erdhi si e papritur për faktin e thjeshtë se nuk e di pse isha mësuar me idenë që profesori ecte çdo ditë edhe më dukej si diçka e paravendosur që ai do ecte gjithmonë dhe në ato pak raste kur e kam takuar, e gjeja gjithmonë në formë dhe gjithmonë të dëshiruar për të folur për ato tema që ai kishte për zemër. Natyrisht që kur një njeri largohet, shumëçka që lidhet me të afrohet, por besoj se edhe kur ky afrim i gjërave, si rezultat i momentit, tretet në kohë, profesori do të mbetet një pikë referimi në historinë e ndryshimeve dhe të ndryshimit të epokave, siç e përmendi Namiku, e padyshim një pikë referimi edhe për të gjithë ata që do të duan një ditë të kuptojnë dinamikat edhe historinë e vetë Partisë Socialiste. Ajo që është ende më e rëndësishme në këndvështrimin tim, është kujtimi që ai lë mbrapa. Besoj që me zë ose pa zë, gjithsecili që e ka njohur, e kujton dhe do ta kujtojë si një burrë të mirë, si një burrë të ndershëm, si një burrë të mençur dhe mbi të gjitha si një burrë babaxhan. E kështu uroj ta kujtojnë gjithmonë, jo vetëm djemtë, por edhe mbesat, nipërit dhe të gjithë të afërmit e tjerë duke shprehur me dhembje edhe urimin që të prehet i qetë në paqe, siç e ka merituar me jetën dhe me kujtimin që lë mbrapa.”
“`
