Studentë të helmuar në Akademinë e Sigurisë, arrestime

Helmimi i 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë, arrestohen kuzhinieri dhe teknologia

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e helmimit të rreth 56 studentëve në Akademinë e Sigurisë në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, oficerët e Komisariatit Nr.1, që kanë në juridiksion zonën ku ndodhet akademia, kanë arrestuar dy punonjës të kompanisë katering: kuzhinierin K. B., 52 vjeç dhe teknologen e ushqimit K. P., 23 vjeçe.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur pronarja e kompanisë private që ofronte shërbimin ushqimor për institucionin, A. T., 52 vjeçe, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë edhe R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe.

Policia i akuzon ato për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Problemet për studentët filluan të mërkurën, ku menjëherë pas konsumimit të drekës ata kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe simptoma helmimi. Kjo situatë ka bërë që në vendngjarje të mbërrijnë rreth 10 ambulanca, të cilat i kanë transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave të fundit, gjendja e të prekurve raportohet të jetë nën kontroll dhe të gjithë studentët janë larguar nga spitali pas marrjes së trajtimit të nevojshëm.

Scroll to Top