Euro arrin nivel historik të ulët, shkëmbehet me 95.44 lekë
Kursi i këmbimit Euro-Lek ka shënuar një rënie të mëtejshme gjatë kësaj jave, duke prekur një minimum të ri historik. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 95.44 lekë, niveli më i ulët ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me 1.4%, ndërsa në bazë vjetore rënia ka arritur në 2.8%. Tremujori i dytë duket se ka intensifikuar më tej presionet nënçmuese mbi kursin e këmbimit të euros, presione që, ndryshe nga vitet e kaluara, kanë qenë të dukshme edhe gjatë tremujorit të parë të vitit.
Agjentët e këmbimit valutor konfirmojnë se oferta valutore është e bollshme, ndërsa kërkesa është e ulët, duke nxitur kështu tregun drejt një rënieje të mëtejshme të kursit të euros. Duke marrë parasysh tendencën në rritje të prurjeve valutore gjatë muajve të ardhshëm, është e arsyeshme të pritet një forcim i mëtejshëm i këtyre presioneve.
Veçanërisht gjatë dy viteve të fundit, rënia e euros është amortizuar nga blerjet e konsiderueshme të valutës nga Banka e Shqipërisë. Sipas statistikave, vitin e kaluar Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, jo vetëm për të rritur rezervën valutore, por kryesisht për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të lekut. Sasia e blerë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë.
Blerjet e valutës kanë vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, duke reflektuar tendencën në rënie të kursit euro-lek, megjithatë shifrat nuk janë bërë ende publike. Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka parashikuar të shtojë blerjet e planifikuara të valutës në tregun vendas, me synimin për të blerë mes 330 – 450 milionë euro përmes ankandeve, për të rritur rezervën valutore, pa llogaritur blerjet direkte që do të varen nga ecuria e kursit.
Megjithatë, me inflacionin që po i afrohet nivelit 3%, mundësitë e Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor duke blerë euro mund të kufizohen ndjeshëm. Një tërheqje, qoftë edhe e pjesshme, e Bankës së Shqipërisë nga blerjet mund të nxisë rënien më të shpejtë të kursit të euros, sidomos gjatë periudhës së verës. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve të mallrave të importuara, siç janë karburantet, mund të ushtrojë një ndikim të kundërt, duke rritur kërkesën për valutë për të financuar importet.
