Hantavirusi në anijen turistike: OBSH thotë se rreziku i përhapjes globale është shumë i ulët
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se rreziku i përhapjes së hantavirusit në popullatën globale është “absolutisht i ulët”. Ky reagim vjen pas një shpërthimi të virusit në anijen turistike MV Hondius, ku humbën jetën 3 pasagjerë.
“Ky është një virus i rrezikshëm, por vetëm për personin që është infektuar. Rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet jashtëzakonisht i ulët”, ka deklaruar zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, për gazetarët.
Ai theksoi se edhe personat që kanë ndarë kabina me të infektuar në anijen MV Hondius, në disa raste nuk janë prekur nga virusi.
“Nuk është si fruthi, për shembull: nëse jeni në një sallë dhe dikush përpara jush kollitet, personat në rreshtat e parë janë në rrezik. Për hantavirusin, kontakti i ngushtë do të thotë praktikisht kontakt direkt nga hunda në hundë. Ky nuk është një Covid i ri”, përfundoi ai.
