Jasir Asani krizë me të dashurën? Fshihen fotot nga Instagrami

Krizë në romancën e Jasir Asanit? Ylli i Kombëtares shqiptare zhduk fotot me partneren nga rrjetet sociale!

Historia e tyre e dashurisë ka qenë ndër më të komentuarat që kur u bë publike. Bëhet fjalë për futbollistin e Kombëtares, Jasir Asanin dhe partneren e tij Giota. Që kur e publikuan këtë histori dashurie, dyshja ka qenë shumë e ndjekur. Në daljet e tyre publike, të dy kanë folur për nisjen e kësaj romance dhe për ndjenjën e fortë që kanë për njëri-tjetrin.

Por kjo histori, si çdo tjetër, ka pasur uljet dhe ngritjet e saj. Ishte pikërisht një vit më parë kur u raportua për një ndarje të këtij çifti. Pas postimeve plot dashuri, në të dyja llogaritë ra heshtja, duke u larguar edhe nga rrjetet sociale. Ajo që dukej si një ndarje, në fakt ka qenë një krizë, e cila shpejt u riparua.

Por pas një viti, historia përsëritet. Aktualisht, futbollisti i ka hequr postimet me partneren nga rrjetet sociale. Dyshja kishte disa foto së bashku, të cilat sot mungojnë në llogarinë e “Instagram”-it të Asanit. Sakaq, Giota nuk është më në listën e ndjekësve të tij. Madje, mesa duket ajo e ka mbyllur llogarinë e saj të “Instagram”-it.

Nuk dihet nëse këtë herë bëhet fjalë për një krizë, apo diçka tjetër ka ndodhur mes tyre. Kujtojmë se në rrjetet sociale, çifti shfaqej thuajse gjithë kohës së bashku, herë në udhëtime luksoze, herë gjatë vizitave të Giotës në Kore, kur Jasiri luante atje, apo edhe në stadium, ku ajo mbështeste të dashurin e zemrës.

Partnerja e tij ka folur edhe publikisht për këtë histori, duke zbuluar edhe si janë njohur. E gjitha filloi me një ‘follow’ në “Instagram” për t’u kthyer më pas në një dashuri të vërtetë.

“Dikur kam pasur një “Instagram” publik dhe Jasiri më ndiqte aty. Nuk e dija deri sa një ditë ai vendosi të më shkruajë, edhe pse dëshira ime nuk ishte për t’iu përgjigjur. Mirëpo, ai nuk hoqi dorë, edhe pse unë mendoja shpesh të mos i ktheja më përgjigje. E njihja kur ka luajtur me ekipin e Partizanit dhe unë shkoja të shikoja ndeshjet, sepse kam qenë tifoze me Tiranën. Lidhja me një futbollist është po aq e bukur, por edhe pak e vështirë në të njëjtën kohë”, tha ajo asokohe.

Futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani rreth dy vite më parë zbuloi për herë të parë se është i dashuruar. I pyetur në një intervistë se a i shkruajnë më shumë vajza tani, futbollisti tregoi se tashmë numri i femrave që i dërgojnë mesazhe është rritur.

“Janë rritur goxha shumë”, – tha ai.

“Si është zemra e Jasir Asanit për momentin, përveçse me emocionin e madh për kombëtaren?”, – e pyeti moderatorja, ndërsa Asani tregoi: “E mbyllur”.

Futbollisti tregoi se është në një lidhje dashurie, teksa tha se vajza që i ka rrëmbyer zemrën është nga Tirana, por nuk është një personazh i njohur shqiptar. / Panorama Plus

Scroll to Top