Trump kritikon Italinë: Nuk ishte pranë nesh kur kishim nevojë, unë gjithmonë i kam mbështetur
Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar sërish marrëdhëniet mes Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, marrëdhënie për të cilat ai ka shprehur shpesh kritika.
Trump ka theksuar se Italia nuk ishte e pranishme në momentet kur Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për mbështetjen e saj. Ai ka deklaruar se personalisht dhe vendi i tij gjithmonë kanë qenë në mbështetje të Italisë dhe se prisnin të njëjtin reciprocitet.
“Italia nuk ishte aty kur ne kishim nevojë. Unë kam qenë gjithmonë pranë Italisë, ashtu siç ka qenë edhe vendi im,” ka thënë Trump.
Këto deklarata Donald Trump i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Corriere della Sera”, një ditë pasi Sekretari i tij i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një vizitë në Romë.
Kur u pyet nëse Italia mund të ofronte minahedhës pas armëpushimit në Iran, Trump përsëriti të njëjtin qëndrim: “Italia nuk ishte aty kur ne kishim nevojë.”
